Mes Enrique Riquelme dhe Florentino Perez tashmë është bërë garë se kush bën premtimin më të madh. Dy kandidatët për presidencën e Real Madrid po sfidojnë njëri-tjetrin me premtime në merkato për të fituar votën e anëtarëve të klubit. I fundit mban firmën e Florentinos, i cili ka njoftuar se ka gati një ofertë prej 150 milionë eurosh për një yll që luan në Champions League.

“Të martën do të bëj një ofertë të rëndësishme për një skuadër të nivelit të lartë të Champions League për një lojtar të madh. Do të ishte shifra më e lartë e paguar ndonjëherë nga Real Madridi për një transferim. Të paktën 150 milionë euro”. Një shumë marramendëse, me Perez që ka dhënë edhe disa pista të tjera: “Është një lojtar që luan mes mesfushës dhe sulmit. Është një lojtar i kalibrit të Cristiano Ronaldos. Nuk vjen nga Premier League. Nuk po flas as për Haalandin, as për Dokun dhe as për Olise”.

Nga Vitinha te João Neves e deri te Julián Álvarez, në orët e fundit ka nisur gjuetia për të zbuluar objektivin e mundshëm të “Los Blancos”, të cilët sipas raportimeve kanë tashmë në dorë Konaté dhe Dumfries, si dhe teknikun Mourinho për stolin.

Por nga Anglia janë të bindur: me deklaratën e fundit publike, Florentino Perez ka tentuar të devijojë vëmendjen e tifozëve dhe medias. Po, sepse objektivi i vërtetë i 79-vjeçarit është Michael Olise. Pavarësisht mohimit, Perez dëshiron t’i investojë këto para për francezin, i cili është një nga yjet e Bayern Munich. 

Të martën pritet oferta në tavolinën e bavarezëve, të cilët megjithatë kanë ndërmend të ngrejnë mur. Këto ishin fjalët e fundit të presidentit të nderit të Bayernit, Uli Hoeness: “Olise nuk do të largohet as për 200 milionë euro. Është e kotë të kesh më shumë para në bankë dhe më pas të luash më keq. Mourinho nuk do ta ketë”.

Leave a comment

Trending