Njoftimi i bërë sot nga pronarja e Top Channel se Ben Blushi do të fillojë punën si drejtori i ri i këtij televizioni është parë në mënyrë tejet kundërthënëse nga media të ndryshme. Disa e kanë përshkruar këtë zhveshje të kostumit të politikanit për të riveshur atë të gazetarit si një mission të pamundur. Ata kanë theksuar se Blushi i si kryetar i Libras e ka fshikulluar sistemin e mediave që nuk i shërbejnë publikut, ku tani po futet dhe vetë. Ata kanë theksuar se ai i lë projektet përgjysëm si në rastin e LMN edhe të Libras. Ata kanë shprehur gjithashtu dyshim se ai do të shpjerë me vete në Top Channel ekon e betejave të tij epike kundër Ramës.
Nga ana tjetër nuk kanë qenë të pakta shkrimet në portale që e kanë parë rikthimin e Blushit në gazetari si një ogur të mirë. Eksperienca e tij e fundit në këtë profesion, është beteja e paepur si drejtues i “Koha Jonë” për t’i dhënë fund rregjimit vjedhës dhe bandit të Berishës së parë. Edhe investimi i tij në libra me filozofinë e krijimit të diçkaje të re përtej paritve të konsumuara si PD dhe PS, mun dtë përcillte një frymë të re në një TV të madh si Top Channel. Ai mund të krijonte frymën mediatike për të hedhur shtratin e disa ideve që nuk triumfojnë kollaj me mjete politike.
Në këtë kuptim, kthimi i Blushit në profesionin e parë mund të jetë një hap pozitiv. Por kjo mbetet në rafshin e supozimeve.
Suksesi i tij do të varet nga dy gjëra: sëpari nga vullneti i tij për të përçuar edhe në media të njëjtën frymë që u përpoq të impononte vitet e fundit në politikë dhe së dyti nga këmbëngulja e pronares së Top Channel për ta parë median e saj si një mision dhe jo si një barrikadë për shantazhin e radhës.
©Lapsi.al






You must be logged in to post a comment.