bushDebati i ashpër dhe përplasja sot në Kuvend mes deputetëve bënë xhiron e mediave brenda dhe jashtë vendit. Shënjestra e protestës dhe sulmit të opozitës ishte kryeministri Edi Rama. Por ndonëse ndaj tij vërshuan qeset me miell e gjithfarë sendesh të tjera, Rama zgjodhi të bënte spektatorin.

Mbase duke mos dashur të agravonte situatën, por edhe sepse fundja s’kishte çfarë bënte tjetër. Ndërkohë ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati s’e kanë mbajtur nervat. Duke qenë pranë Ramës, mielli e ka prekur edhe atë.  Por në dallim nga Rama që qëndroi pasiv, Bushati bëri një gjest të paprecedentë në parlamentarizmin shqiptar dhe me siguri që nuk është parë në asnjë vend tjetër demokratik. Ministri i Jashtëm spërkati me ujë deputetët e opozitës. Si është e mundur që Ministri i Jashtëm i një vendi të sillet në këtë mënyrë? Për shkak të funksionit që ka, ai është fytyra e Shqipërisë nëpër botë.

Nga ana tjetër vendi është në një moment të rëndësishëm, duke pritur hapjen e negociatave me BE-në, ndërsa Ministri i Jashtëm bëhet protagonist i sherrnajave politike. Pasi skenat bënë xhiron në media dhe u komentuan gjerësisht, për të zbutur fajin e asaj që ndodhi, Bushati përdori të njëjtën strategji si Rama për rastin e ngjarjeve në Rrugën e Kombit. Ai kërkoi ndjesë për gjestin dhe e justifikoi atë me sulmet e opozitës.

“Dua të pranoj që në fillim se jam i keqardhur për reagimin tim instinktiv ndaj agresionit te ulët me miell, vezë e të tjera mjete rrethanore, nga grupi i pushtuesve të dhunshëm të foltores së Kuvendit, pa llogaritur lumin e të sharave vulgare! Kërkoj ndjesë qytetarëve per faktin që nuk arrita të ruaj gjakftohtësinë në ato kushte krejt të papranueshme për çdo mjedis publik, e lere më pastaj për një Kuvend demokratik”, tha Bushati përmes një deklarate për mediat.

©LAPSI.al 

Trending