bolino-lapsiNisur nga batërditë me prona, vila, llogari bankare dhe “borxhe” nga prindërit që po nxjerr sistemi i vettingut, pak ditë më parë në një editorial tek gazeta “shqiptarja.com” Karlo Bolino bënte një propozim interesant. Sipas tij gjithë ky korrupsion që tani po del hapur ngre një pyetje tjetër: a kanë dhënë dot vendime të drejta këta gjyqtarë të korruptuar? Dhe nisur nga supozimi logjik që kjo nuk kishte si të ndodhte ai hedh idenë e rivënjes së drejtësisë në vend. Ai propozon:
“Parlamenti duhet të nxjerrë një ligj special, i cili të rihapë kushtet ligjore, në mënyrë që Prokuroria e shëruar, apo edhe qytetarë, të kenë mundësinë të kërkojnë një gjykim të ri për të gjithë ato raste, në të cilat një gjyqtar i hequr nga Vettingu për korrupsion ka patur rol përcaktues në dënimin apo mosdënimin e dikujt”.
Në pamje të parë ideja duket interesante. E veshur edhe me tisin moral që përpiqet që t’i japë Bolino: “Të dëmshpërblesh viktimat e korrupsionit duhet të jetë një klauzolë e pamohueshme e kësaj rilindjeje”, ajo përmban në të vërtetë sens të vërtetë drejtësie.
Vetëm se ky propozim ka një problem të madh. Ai humbet thelbin për të cilin u imagjinua reforma. Ky thelb, të cilin politikanët po e përmendin gjitthnjë e më pak konsiston në faktin se na duhej një drejtësi e ndershme dhe e pavaruar, për të pastruar më pas një klasë politike të korruptuar.
Edhe konceptimi i reformës përmbante në vetvete një dozë të fortë amistie sipas parimit duhet të mbyllim plagët e të shkuarës, për të shëruar të ardhmen.
Pra që institucionet e reja që do dalin më shumë sesa sytë nga e kaluara duhet t’I kenë nga e nesërmja. Sepse megjithëse jemi në kulmin e reformës në drejtësi, politikanët sërish po vazhdojnë të japin koncesione, PPP, leje ndërtimi që do t’I ngrinin qimet përpjetë një drejtësie të ndershme.

Pra sado racional dhe i moralshëm të duket propozimi i Bolinos ai përmban një risk të madh brenda vetes. Ai e transformon reformën në një makineri korigjimi të së shkuarës duke i lënë të livadhisin ata që po na vjedhin të ardhmen. Sepse fakti që qeveritarët vazhdojnë të grabisin makutërisht dhe ditën për diell tregon se ata edhe në ëndrrat e tyre më të errëta nuk i friksohen asaj që të gjithë me entuziazëm po e etiketojnë si Rilindja e drejtësisë.

Trending