
Tradita e kultivimit të kësaj bime nga antikiteti deri në ditët e sotme
Nga Ilirjan Gjika
Piknisja e këtij shkrimi ishte në Libofshë gjatë një aktiviteti kulturor ku ishin ekspozuar edhe një sërë prodhimesh bujqësore. Shkak u bë një kronikë televizive e cila trajtoi traditën e kultivimit të ullinjve në këtë trevë. Për të krijuar një ‘’tablo’’ më të plotë rreth këtij problemi këtë shkrim e kemi bazuar përgjithësisht te literatura historike dhe autorët e saj.
1
Myzeqeja është fusha më e madhe e Shqipërisë. Me një sipërfaqe prej 1350 km2, ajo shtrihet në Rajonin Perendimor të vendit nga lumi Shkumbin në veri e deri pranë Nartës në Vlorë në jug. Në perëndim si kufi i saj shërben bregdeti i ulët i Adriatikut, kurse në lindje, Myzeqeja shtrihet deri në rrëzë të kodrave të Darsisë, Kuçovës dhe Mallakastrës. Me një gjatësi prej 65 km dhe gjerësi prej 50 km, kjo fushë zbret nga lindja drejt perëndimit duke formuar në vetvete një krahinë gjeografike dhe etnografike nga më të mëdhatë në vendin tonë (FESH, 1985).
Për herë të parë në histori, termi Myzeqe, përmendet në kronikën mesjetare të Tokove në vitin 1422, kohë kur ajo zotërohej nga Muzakajt (K. Bozhori-F. Liço, Burime Tregimtare Bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, Akademia e Shkencave, Tiranë 1975, f. 28).
Që nga kjo kohë kjo trevë e cila më parë quhej fusha Ilire apo fusha e Savrës merr emrin e zotërueses së saj, familjes fisnike Muzaka, duke kaluar nga format Muzaka-Muzakie-Myzeqe.
Kjo hapësirë mban në vetvete disa nga vendbanimet më të vjetra të gjurmëve humane në Shqipëri. Të tilla janë vendbanimet neolitike të Portëzës dhe Kryegjatës, ku janë gjetur fosile që i përkasin një periudhe prej 40 000-30 000 vjet më parë. Ndërsa gjatë periudhës antike në Myzeqenë bregdetare u ngrit Apolonia, një qytet i themeluar nga korintasit në vitin 620 pk.
Qëllimi i kolonizimit helen ishte importi i prodhimeve bujqësore të fushës e quajtur ndryshe ‘’Hambari i Ilirisë’’. Edhe më pas gjatë mesjetës, skelat lumore të Myzeqesë, si Vregu mbi Shkumbin, Pirgu mbi Seman dhe Spinarica mbi Vjosë eksportonin kryesisht drith drejt Venedikut dhe Raguzës. Ndërkohë le të shohim si qëndron problemi me kulturën e ullirit në këtë krahinë të Shqipërisë.
2
Ulliri është një kulturë e Mesdheut që është që ndeshet në vendin tonë qysh në periudhën antike. Edhe Myzeqeja dhe veçanërisht treva e Fierit e favorizuar kryesisht nga klima dhe relievi i alternuar fushoro-kodrinor ka një traditë të vjetër dhe shekullore në kultivimin e kësaj bime. I njohur për vlerat e tij ushqyese, kuruese dhe për më tepër ekonomike, për ullirin është treguar kujdes i veçantë qysh në antikitet. Në veprën e tij ‘’Gjeografia’’, të shkruar në shekullin e I-rë pk, Straboni, kur përshkruan Ilirinë, shkruan se: ’’Ky vend i ngohtë dhe frytdhënës është plot me ullishta dhe vreshta’’.
Që nga kjo kohë ulliri është kultivuar përgjatë Myzeqesë në zonat kodrinore të Divjakës, Ardenicës, Radostinës, Pojanit apo Levanit si dhe në periferi të saj, atje ku tokat bujqësore nuk mbanin lagështi. Por traditën vendase të kultivimin të ullirit, kolonët helenë të Apolonisë, e çuan më tej. Të ardhur nga zona të tilla si Korinti, Korkyra apo Kikusi dhe Disponti (Pseudo Skymni, Orbis Descriptio 439-440, Straboni VII, 3, 12), si duket ata sollën jo vetëm përvojën por edhe kultivarë nga zona të njohura për kultivimin dhe përpunimin e tij. Po kështu edhe gjatë pushtimit romak u sollën në këtë zonë arritjet më të mira të kultivimit të kësaj bime.
Të dhëna për prodhimin e vajit të ullirit na vijnë nga literature historike që trajton zhvillimet e qytetit të Apolonisë.
Një shembull në këtë drejtim na sjell arkeologu Bashkim Vrekaj në librin e tij ‘’Historia e Apollonisë së Ilirisë’’, ku përshkruan bazën ushtarake romake të Nimfeut e cila ndodhej disa kilometra në J-L të prapatokës së saj. Sipas tij, në këtë bazë qëndronin në mënyrë të përhershme disa legjione të cilat kishin nevojë për furnizime jetike të cilat vinin nëpërmjet Apolonisë. Rreth këtij problem Vrekaj shkruan se: ’’…ushqimi bazë i kësaj ushtrie përmblidhej në menunë: buka, vaji, vera dhe peshku i kripur’’ (B. Vrekaj, Historia e Apollonisë së Ilirisë, Botimet Ymeraj, 2009, f. 181). Pra, ushtria e vendosur në kampin e Nymfeut kishte nevojë për furnizime ushqimore që siguroheshin nga ekonomia e Apollonisë dhe rajoni përqark saj. Por ajo që na intereson është fakti se një pjesë e mirë e këtyre prodhimeve kultivoheshin në territoret e polisit të Apolonisë, ku përfshihejnatyrisht edhe kultura e ullirit.
Rreth këtij problem në librin e tij ’’Apolonia e Ilirisë’’, arkeologu i njohur Neritan Ceka. Në këtë monografi kushtuar këtij qyteti antic, ai, midis të tjerave shkruan se: ’’Kodrinat në lindje të Apollonisë duhet të kenë qenë mbuluar me vreshta dhe ullishta, siç e dëshmojnë gjurmët e shumta të banesave të kopshtarëve, që gjenden atje’’ (N. Ceka, Apolonia e Ilirisë, SH. B. ‘’8 nëntori’’, Tiranë 1982, f. 84).
Po kështu, gërmimet arkeologjike në Apoloni kanë zbuluar një sërë prodhimesh qeramike që shërbenin për depozitimin dhe magazinimin e vajit të ullirit. Të tilla janë enët e prodhuara këtu si tipe të anforave të madhësive të ndryshme. Biles për prodhimet e qeramikës në Apoloni, në një pasazh tjetër të këtij libri, Ceka, midis të tjerave thekson se: ‘’Prodhoheshin në këto punishte edhe amfora, qypa me vegje, që shërbenin për ruajtjen dhe transportimin e verës dhe vajit (Po aty, f. 76).
Ndërkohë që edhe arkeologia, Aleksandra Mano, në studimin e saj ‘’Vështrim historik mbi Apoloninë e Ilirisë’’ e trajton këtë fenomen. Duke përcaktuar kufijtë e Apolonisë që zotëronte një territor relativisht të gjerë midis Semanit në veri, Vjosës në jug, kodrave të Mallakastrës në lindje dhe detit Adriatik në perëndim, kjo autore, shkruan për Apoloninë se: ‘’Këto kushte gjeografike klimatike kanë favorizuar jo vetëm rritjen e drithërave, por edhe kultivimin e kulturave të tjera subtropikale si ullirin, agrumet, rrushin, etj’’ (A. Mano, Apollonia e Ilirisë, Akademia e Shkencave, Tiranë 2006, f. 31-32).
Pikërisht të gjitha këto të dhëna na krijojnë një ide të plotë për kultivimin e bimës së ullirit në Apoloni dhe rajonin përreth. Por duhet thënë se kjo traditë antike ka vijuar edhe gjatë shekujve të mesjetës, kur Apolonia, u shndërrua në një qëndër manastiriale dhe hapësira që dikur zihej nga ky qytet u mboll me dhjetra ullinj.
Ekzistenca e tyre shihet edhe sot pergjatë kurrizit kodrinor të Apolonisë. Të tillë janë edhe ullinjtë shekullor që ndeshet në zonën e Temenosit, pranë shtëpisë së Misionit Arkeologjik Francez, të ngritur nga Leon Rei dhe ai që ndodhet pranë murit perëndimor të manastirit. Po kështu, në këtë manastir midis objekteve të shumta arkeologjike ruhen edhe dy rrotulla të cilat i shërbenin dikur mullirit të vajit të këtij objekti kishtar. Por të dhëna rreth kulturës së ullirit në këtë territor gjejmë kohë më pas edhe në defterët osmanë. Sipas regjistrit kadastror të sanxhakut të Vlorës, të vitit 1570, fshati Levan, midis taksave në natyrë paguante detyrime në grurë, elb, mel, koçkulla, kumbulla, qiqra, thjerrëza, tagji, rrush dhe ullinj (T. Sadiku, Mallakastra dhe Myzeqeja e Vogël, Migjeni, Tiranë 2009, f. 123). Kujtojmë se Levani është një vendbanim që ndodhet disa kilometra në J-L të Apolonisë, kodrat e të cilit përfshirë edhe ato të Frakullës më në jug, përbënin në antikitet prapatokën bujqësore të saj.
Ndërsa të dhëna të tjera na vijnë nga autorë të ndryshëm rreth ekzistencës së kasaj bime në këtë zonë. Kështu ullirin e ndeshim edhe përgjatë fushës në perëndim të Apolonisë pranë kishës mesjetare të Shën e Premtes. Shkrimtari dhe studjuesi Aristotel Mici, në përshkrimin që bën në shkrimin e tij: ‘’Spinarica, Porti detar i Apolonisë’’, shprehet midis të tjerave se: ‘’Mbaj mend mirë se në të majtë të këtij pylli ndodheshin edhe disa rrënjë ullinj, në grup, si një korije e vogël ngjitur me drurët pyjorë. Ishin ullinj me kokërra të vogla dhe bërthamë të madhe, por shumë vajës. Në të folmen e vendit quheshin “ullastra”, mbase nga latinishtja “oleastro”, ulli i egër’’. (A. Mici, Milosao, Gazeta Shqiptare, dt 19, 09, 2018). Ndërsa po rreth këtij problem pak më poshtë, Mici, shkruan se ’’… këta ullinj nuk ishin vetëm tek Pylli i Shëne-Premtes, po ata dukeshin edhe përgjatë kurorave të Lumit të Vjetër në një distancë prej një qind ose dyqind metra larg njeri tjetrit’’ (A. Mici, po aty).
Ndërkohë që ullinjtë janë kultivuar edhe përgjatë vargjeve e tjera kodrinorë të Myzeqesë, si ato të Divjakës dhe Ardenicës. Në manastirin bizantin të Ardenicës ruhet në gjendje shumë të mirë mulliri i vajit një vepër e mirëfilltë e ‘’inxhinjerisë popullore’’. Deri në mesin e shekullit të kaluar ai ishte në gjendje pune dhe përpunonte sasi të konsiderueshme vaji ulliri.
Për ullinjtë e shumtë për të cilët kujdesej ky manastir na jep të dhëna edhe piktori anglez Eduard Lir, të nesërmen e mbërritjes së tij në Ardenicë, më 18 tetor 1848 (E. Lear, Ditar udhëtimesh, Plejad, Tiranë 2008, f. 145). Ndërsa përpara shpronësimit të tij prej shtetit komunist, manastiri i Ardenicës, përveç tokës bujqësore, kullotave, korijeve, livadheve, pyllit dhe dru frutorëve kishte në pronësi edhe 1050 rrënjë ullinj (P. Shalësi, Gazeta Ngjallja, korrik 1996, f. 12).
Dihet gjerësisht që gjatë mesjetës kishat dhe manastiret ishin edhe ente të prodhimit bujqësor dhe blegtoral. Në to jo vetëm funksiononin shkolla, biblioteka, punishte, spitale por shkruheshin edhe kodikë, libra, kopjoheshin vepra të autorëve të shquar, krijoheshin vepra artistike etj. Pranë manastireve zhvilloheshin edhe panaire si dhe kultivoheshin bimë medicinale. Midis të tjerave, manastiret e Myzeqesë dalloheshin për ullishtarinë dhe prodhimine vajit të ullirit. Këtë e tregojnë më së miri edhe të dhënat dokumentare. Kështu
Nga të dhënat kadastrale që i takojnë periudhës përpara shpronësimit të këtyre institucioneve fetare manastiri i Apolonisë zotëronte 300 rrënjë ullinj, ai i Kolkondasit 150 të tilla, manastiri i Shën Kollit në Divjakë 150 rrënjë ullinj, Manastiri i Shën Theodhorit në Kadipashaj 50 rrënjë dhe ai i Shën Trifonit në Sheqishtë zotëronte 207 rrënjë ullinj (P. Shalësi, Dokumente që provojnë pronësi të kishës, Gazeta Ngjallja, 1996, f. 3, 12).
Për ullinjtë e kodrave të Ardenicës dhe Libofshës ma jep të dhëna edhe Mehdi Frashëri. Juristi dhe politikani i njohur i gjysmës së parë të shekullit XX, në librin e tij ‘’Probleme Shqiptare’’, kur trajton vendin engritjes së një shkolle bujqësore ai shkruan midis të tjerave se: ‘’Një zonë e këtillë mund të jetë pjesa perëndimore e vargut të kodrinave të Ardenicës, duke patur në qëndër katundin Libofsh, që është çiflig i shtetit. Një ngrehinë e tillë do të ketë për fushë punimi përpara karatoprakun e famshëm me pjellorinë e vet dhe, nga pas, vargun e kodrinave të ëmbla, ku mund të punohen ullishtat pemishtat dhe portokallat’’ (M. Frashëri, Probleme Shqiptare, Plejad, Tiranë 2006, f. 189).
Po në këto vite të periudhës së pavarëisë midis dy luftërave botërore kultura e ullirit vijoi të kultivohej gjerësisht. Sasia e madhe e ullinjve që prodhohej në zonat përreth Fierit ku një pjesa më e madhe e lëndës së parë vinte nga zona e Mallakastrës bëri që biznesi privat të ngrinte në vitet 30 të shekullit XX në këtë qytet, dy fabrika për përpunimin e vajit të ullirit. Sipas statistikave të Odës së Tregtisë dhe Industrisë së Fierit, në vitin 1937 në këtë qytet funksiononin dy fabrika të tilla ku secila kishte një kapacitet përpunues prej 2500 kv në vit (I. Fishta-Th. Kareco, Prona private në Shqipëri 1924-1944, SH. B. Dituria, Tiranë 1996, f. 245). Po kështu, në regjistrin e kësaj ode tregtie shitjen e ullirit në Fier e ushtronin katër subjekte tregtar (Po aty, f. 105-106).
Por tradita e vjetër vijoi edhe gjatë viteve të komunizmit ku përveç shtetëzimit të kësaj kulture, kooperativat bujqësore dhe NB-të, mbollën përgjatë brezave kodrinorë të kësaj krahine me dhjetra blloqe të reja ullinjsh. Ndërsa ndërrimi i sistemeve në fillim të viteve 90’ të shekullit të kaluar e ndryshoi gjendjen e kësaj nëndege të bujqësisë. Privatizmi i tokës hapi të tjera perspektiva që u shoqëruan me përmirësimine kapaciteteve ekzistuese dhe mbjelljen e mijerave rrënjëve të reja përfshirë edhe kultivarë të huaj. Por në ndryshim nga tradita ku ulliri kultivohej vetëm në zonën kodrinore në këto vite kultivarët e rinj mund ti hasësh përgjatë gjithë fushës, ku fermerë të shumtë jo vetëm që kanë mbjellë blloqe ullinjsh por kanë krijuar edhe plantacione të vërteta. Kjo është e tashmja e kultivimit të kësaj bime, ‘’rrënjët’’ e së cilës ashtu siç e trajtuam gjenden thelë në histori.
(Fotot autori).






You must be logged in to post a comment.