Nga Lutfi Dervishi

Në ditët e para të protestës, u fol për armiq të jashtëm. Por ndërsa protesta vazhdon, sot në ditën e 11, kundërshtari kryesor duket se ka ndryshuar. Nuk janë më armiqtë e jashtëm, nuk është opozita që “i do të keqen Shqipërisë”, dhe as gazetarët që “nuk kuptojnë dhe nxijnë realitetin”.
Sot, objektivi i preferuar i Kryeministrit janë influencerat. Ai i përqesh, i tall dhe, në të njëjtën kohë, shfaq një nervozizëm të qartë që nuk e fsheh dot.
Kjo nuk ndodh rastësisht. Në fund të fundit, vetë fjala influencer vjen nga ndikimi. Kur politika fillon të merret seriozisht me ta, kjo tregon se ka kuptuar një realitet të ri: ndikimi nuk është më aty ku ishte dikur.
Pyetja interesante që lind natyrshëm është se si është e mundur që një person me një telefon në dorë arrin të ndikojë më shumë se një televizion kombëtar me studio moderne, redaksi, gazetarë dhe buxhete të garantuara?
Përgjigjja është sa e thjeshtë, aq edhe e pakëndshme: një pjesë e madhe e medias tradicionale ka humbur atë që ishte kapitali i saj më i madh, – BESIMIN.
Shumë qytetarë, sidomos të rinjtë, nuk e perceptojnë më median si një arbitër të pavarur, por si pjesë të sistemit politik dhe ekonomik që ajo supozohet të monitorojë. Kur thyhet ky besim, teknologjia nuk të shpëton dot. Mund të kesh frekuencë kombëtare, por mund të mos kesh asnjë grimë ndikimi në publik.
Ndërkohë, një influencer nuk e fiton audiencën përmes një licence. Ai/Ajo e fiton atë sepse krijon marrëdhënie direkte me ndjekësit. Ata mund të mos bien gjithmonë dakord me të, por ndiejnë se po komunikojnë me një njeri të vërtetë.
Shumica e të rinjve që mbushin sheshin nuk informohen nga edicionet informative të dites/darkës. Ata informohen nga WhatsApp, Instagrami, TikToku, YouTube dhe grupet e tyre online.
Ndërkohë, Kryeministri vazhdon të komunikojë kryesisht përmes televizioneve që ndiqen nga një brez krejt tjetër.
Kështu krijohen dy realitete paralele që nuk takohen askund. Në realitetin e parë, atë televiziv, protesta minimizohet, relativizohet ose interpretohet përmes filtrave të zakonshëm politikë. Në realitetin e dytë, atë digjital, videot, memet, transmetimet live dhe dëshmitë e drejtpërdrejta qarkullojnë mediatikisht me një shpejtësi marramendëse, duke krijuar një perceptim krejt tjetër mbi atë që po ndodh në të vërtetë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, beteja kryesore politike nuk po zhvillohet më në studiot televizive, por në ekranet e telefonave.
Prandaj, lufta e Kryeministrit me influencerat është shumë më tepër sesa një debat me disa personazhe të rrjeteve sociale. Është përplasja e një epoke që po perëndon me një epokë që po ngrihet dhe ndoshta ky është shkaku i vërtetë i nervozizmit.
Nuk është e lehtë të fitosh një betejë kundër influencerave, por është pothuajse e pamundur të fitosh një betejë kundër një brezi të tërë që nuk informohet më nga kanalet ku informacioni/narrativa është nën kontroll.


Leave a comment