
Më 10 janar 2019, tre miq dhe vëllai i Rei Sopiqotit, na mblodhën në sallën e koncerteve të shkollës, në një koncert të denjë jo vetëm për sallat artistike të qytetit e vendit, por edhe më gjerë.
Xhovani, ish student i profesor Albert Gerro, klarinetist në orkestrës kombëtare të Kolumbisë e bëri ” violinën” e veglave frymore të qaje e lodrojë. Në pjesën “Albaphonia”, kompozuar prej Kris Sopiqotit, kompozitor i ri premtues, dëgjuam distorsione, ” gërrvishtje” tingujsh që nuk janë tjetër veçse rezultati i bashkimit të tre tingujve njëherësh. Pyetja se çfarë teknike zotëron Xhovani, që nga një kallam klarinetë lëshon frymë që prek njëherazi tri nota u lindi shumëve, edhe vet profesionistëve. Poulenc? Do ishte ndier i privilegjuar të dëgjonte interpretimin e veprës së tij nga Xhovani Dimo. Virtuozitet i klasit të parë.
Lisien Malaj, ish student i profesor Kristaq Lena, instrumentist në Orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar ishte mahnitës, po aq. Pak prej nesh mund të kenë dëgjuar interpretim me një ndjeshmëri e zhdërvjelltësi kaq të lartë në instrumentin autoritar të fagotit. Pak, madje, e njohin këtë instrument midis joprofesionistëve. Melancolik e rrëmbyes në honet ku na çon Donizetti me ” Una furtiva lacrima”, largo e Vivaldit, andante e Rossinit. Instrumentist që imponohet me diapazonin e gjerë e të thellë nëpër të cilin shëtit e vibron tingulli i tij.
Krisi, ish student i profesoreshë Marianës, mësues pianoje në shkollë dhe pedagog i jashtëm në Universitetin e Arteve Tiranë, kompozitori që ka për frymëzim Stravinsky-n, shkëlqeu edhe me veprën e tij “Paraphrase” nga Koncerti për Piano No. 1, interpretuar nga pianistja e talentuar S. Haka. Atonaliteti, përthyerjet e pazakonta të tingullit, shpërthimet e origjinaliteti në konceptimin e veprës kushtuar të vëllait, na bënë të prekshme humbjen e njeriut të dashur. Arti është një formë sublime për t’ i mbajtur pranë e të gjalla kujtimet. Kris, u shpalos edhe si pianist në interpretimet e Brahms e Liszt. Nuk ka qenë më kot “nxënës i Marianës”, siç thonë rëndom ish studentët e saj duke mos e fshehur krenarinë e ligjshme që e kanë pasur këtë fat.
Pianistja Stela Haka, qershia mbi tortë. Soliste e spikatur, shoqëruese e zonja, e armatosur me thjeshtësi për të lënë tingullin e artin e saj të na flasë më mirë e më në thellësi.
Faleminderit dhe suksese të gjithëve!
Shkolla Jakov Xoxe Fier






You must be logged in to post a comment.