Vijon përplasja mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Pas akuzave të Berishës për vrasjen e gazetarit Ali Uka në qershor të vitit 1997, Thaçi ka dhënë versionin e tij. Në një intervistë për RTV Dukagjini, Thaçi tha se ai është arrestuar para vrasjes në Tiranë me pretekstin e armëmbajtjes pa leje.

“Jam arrestuar 10 orë para se të vritej Ali Ukaj, te ura e Elbasanit në mënyrë brutale. Definitivisht nga autoritetet e Sali Ramë Berishës. Kam qëndruar 24 orë në komisariat dhe kur është vrarë Ali Ukaj unë kam qenë në burg. Ekziston dosja, vetëm nëse është prishur.

Dokumenti për arrestimin tim mund të gjendet në Komisariatin numër 1 të Tiranës… U kam thënë mos më keqtrajtoni kam familje në Kosovë. Këto gjëra që mi keni zënë janë logjistikë për UÇK-në. Jam ushtar i UÇK-së, mos më nxirrni në televizion sepse e kam familjen në Kosovë dhe Serbia mund t’i keqtrajtojë ata”, – tha ai.

Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së thotë se ka hasur në mirëkuptim nga oficeri i rastit, por sipas tij ka pasur edhe raste kur policë shqiptarë kanë dëgjuar për UÇK-në janë sjellë brutalisht. Thaçi tha se Ali Ukaj disa ditë para vrasjes pretendonte se kishte zbuluar vrasjen e atdhetarit Remzi Hoxha.

“Sipas Aliut, Remzi Hoxha kishte zbuluar një takim të fshehtë mes Sali Berishës, Sllobodan Milloshevicit dhe Kiro Glogorovit në Ohër. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte rrëmbyer Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut çonte direkt tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës”. Thaçi thotë se Ali Ukaj ishte në dijeni edhe për vizitat e Arkanit dhe Legias në Tiranë.

Trending