
Një kështjellë, miliona euro në llogari bankare, një avion i vogël, të cilave u shtohen edhe dy apartamente në jug të Francës, makina dhe një jaht. Që kur mbërriti në Francë në moshën 16-vjeçare, Ermal Beqiri, sot 44 vjeç, sipërmarrës dhe ekspert i teknologjisë së informacionit, ka përjetuar një ngjitje marramendëse në shkallët shoqërore. Sot, nga qelia e paraburgimit në Beauvais, biznesmeni shqiptar po përpiqet të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhet.
Këtë të martë, më 20 tetor, ai i kërkoi për herë të dytë Dhomës së Hetimit në Amiens lirimin nga paraburgimi. Dosja e tij po shqyrtohet nga Gjykata e Apelit në Amiens, pasi biznesmeni ka vendbanimin në departamentin Oise, në kështjellën Auteuil, në Berneuil-en-Bray, një monument historik i shekullit XVI, të cilin, sipas mediave shqiptare, e ka blerë për rreth 2.6 milionë euro në fund të vitit 2024.
Qindra mijëra euro të sekuestruara në llogaritë e tij
Ermal Beqiri ndodhet pas hekurave pasi autoritetet shqiptare kërkojnë ekstradimin e tij. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Tiranë e dyshon si një nga personat kryesorë të një rrjeti që ka përfituar kontrata publike në fushën e teknologjisë së informacionit nga shteti shqiptar, duke manipuluar konkurrencën dhe duke përdorur kërcënime për të larguar rivalët./ Courrier-picard
Në Shqipëri, kjo çështje ka shkaktuar bujë të madhe. Nën hetim janë 19 procedura të prokurimit publik, me një vlerë të përllogaritur prej 59 milionë eurosh.
Në këtë çështje është e përfshirë edhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, si dhe një tjetër biznesmen, Ergys Agasi, i arrestuar në Shqipëri në muajin gusht.




Leave a Reply