Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit në Uashington ka pezulluar ekzekutimin e gjobës të majme prej 110 milionë euro në llogari të shtetit shqiptar, në lidhje me konfliktin me biznesmenin italian, Francesco Bechetti, për arsye se çështja mund të rishqyrtohet.
Ky pezullim, i cili është provizor, vjen pas ankesës së qeverisë shqiptare ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për konfliktet e investimeve (ICSID), që i faturoi Shqipërisë në prill të këtij viti, gjobën më të madhe në historinë e shtetit shqiptar.
Ndonëse vendimi është i formës së prerë, Gjykata që operon edhe si pjesë e Bankës Botërore, lejon kryerjen e ankimimit kur plotësohen disa kushte të paracaktuara. Pas pranimit të kërkesës së Avokaturës së Shtetit për anulimin e gjobës në datën 27 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Gjykate ka njoftuar të dy palët e përfshira në konflikt, qeverinë shqiptare dhe biznesmenin Becchetti, për pezullimin e përkohëshëm të ekzekutimit të sanksionit ekonomik.
Sipas njoftimit të publikuar nga Gjykata, ekzekutivi ka ndryshuar studion ligjore që do të bëjë mbrojtjen e Shqipërisë. Në ndryshim nga gjyqi i parë kur Shqipëria u përfaqësua nga 4 avokatë britanike, këtë herë Avokatura e Shtetit ia ka besuar mbrojtjen Foley Hoag, një studioje amerikane të mirënjohur në mbrojtjen e shteteve në rastet e konfliktet gjyqësore.
Pas këtij hapi, Gjykata pritet të ngrejë një komision me tre gjyqtarë të rinj, të cilët nuk kanë marrë pjesë në gjyqin e parë. Ky komision do të vendosë lënien në fuqi ose anulimin e gjobës.
Becheti e paditi qeverinë shqiptare bazuar në pretendimin se sulmet ndaj kompanisë së tij “Agonset”, janë motivuar nga mbulimi jo i favorshëm i televizionit “Agon Channel” ndaj mazhorancës.
Në vendimin e ICSID-së arsyetohej se veprimet e Shqipërisë ndaj kompanisë së biznesmenit italian nuk ishin “ushtrim legjitim i fuqive policore”. Ndërsa, firma ligjore që e përfaqësoi Becheti-n në arbitrazh e interpretoi vendimi si një kritikë të fortë ndaj sjelljes së paligjshme të autoriteteve shqiptare, të cilat shënjestruan median e lirë.






You must be logged in to post a comment.