Prej ditësh ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka qenë në qendër të vëmendjes për faturat “e kripura” të paguara në hotele, ku kishte shpenzuar deri në 700 euro/nata. Më pas dolën edhe disa fatura të ish-ministres së Arsimit Lindita Nikolla.
Mbrëmjen e së premtes JOQ Albania ka publikuar një faturë të nisur nga një qytetar ku shikohet se si biznesmeni Shkëlqim Fusha pronar i kompanisë “Fusha SHPK” i ka paguar nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Maznikut një faturë në hotelin “Alma Barcelona” në Barcelonë të Spanjës.
Fatura është për 2 net dhe ka vlerën 1816 euro në total. Sipas saj Mazniku do të akomodohej në hotel në 19 qershor 2018 dhe do ta linte atë në 21 qershor. Nga një kërkim në internet i lapsi.al rezulton se pikërisht në këto data Arbjan Mazniku ka qenë në Barcelonë ku ka tërhequr një çmim për Sheshin Skënderbej.
“Fusha Shpk” është përmendur shpesh nga opozita si një kompani e preferuar e bashkisë së Tiranës pasi ka marrë tendera miliona eurosh prej saj.
Vetëm për sheshin Skënderbej ajo ka marrë 22 milionë euro ndërsa është kompania të cilës i është premtuar ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar duke iu dhuruar hapësira e bashkisë pas tij ku do të ngrihen kulla shumëkatëshe biznesi.
Normalisht lind pyetja se përse i duhet paguar fatura 900 euro/nata një zyrtari të lartë si Mazniku nga një biznesmen! A ka një konflikt interesi në këtë mes?! ©LAPSI.al






You must be logged in to post a comment.