1-0, por mund të kishte qenë shumë ndryshe. Shqipëria e Edy Reja, bëri një tjetër provë të rëndësishme, por këtë herë mes golit e fitores ishte një Rey Manaj jo në ditën e tij më brilante dhe një Strakosha që bën gafën e madhe në minutën e fundit të lojës, duke dënuar një strategji brilante të Edy Rejas. Për shumë minuta kuqezinjtë ishin skuadra më e rrezikshme, në të gjitha rastet me Manaj: sulmuesi vrapoi, tentoi, por kur erdhën rastet e shënimit, nuk e fundosi dot goditjen që do të kishte qenë shpresë për ne, e frikësuese për Turqinë, që me këtë fitore, bashkë me suksesin e Francës në Islandë e kanë të hipotekuar shansin për të shkuar në Euro 2020. Shqipëria e provoi, me karakter e dinjitet, por në fund rrjeta që u tund ishte e Strakoshës, që në një moment papërqendrimi e la të pambrojtur…

Reja ruajti stabilitetin: e bëri mirë. Boshti i skuadrës rezistoi në minutat e para të ethshme, ku kuqezinjtë ishin po aq asfiksues në presing sa të besuarit e Senol Gunes. Veseli zëvendësoi Hysajn e dëmtuar dhe askush nuk e kuptoi që shkodrani mungonte. Empolezi bëri ndeshjen më të mirë që kur mban veshur fanellën e kombëtares. Mesfusha mbajti ekuilibrat, Manaj e Cikalleshi vrapuan në të gjithë repartin, duke bërë që të kalonin minutat më të rrezikshme, ato të insistimit të Turqisë, për të fituar gradualisht metra në fushë dhe minuta në zotërim të topit.Cenk Tosun e Burak Ylmaz ishin vetëm hijet e atyre lojtarëve të rrezikshëm, të kontrolluar gjithnjë nga Gjimshiti, Dermaku e Ismajli. Nuk pati shumë raste e para, një tentativë e Tosun, përgjigje e Manajt dhe portierët pothuaj të paimpenjuar.
Atë që Reja e kishte ndërtuar në mendjen e tij e zbatoi në fushë dhe gjithcka shkoi sipas parashikimeve të italianit, 74 vjecar një ditë më parë: Roshi për Lenjanin, që më tepër se për zëvendësimin u dëshpëruar për rastin që humbi 6 minuta më parë. Roshi u fut në minutat e tij dhe si ndodhi kundër Moldavisë e kundër Islandës ndryshoi lojën. Driblime, shpejtësi dhe elegancë, por Manaj humbi atë që ishte e pamendueshme, në minutën e 77, duke mos gjetur topin me portën të boshatisur.

Manaj u bë protagonisti i Shqipërisë në 10 minutat e fundit, duke tentuar katër herë e duke trembur turqit, që filluan të kontrollonin minutat, pa e ditur se pikërishyt në fund do ti vinte ndihma e papritur. Strakosha doli pa logjikë në minutën e 90, duke përplasur Ismajlin e pa gjetur topin, që Tosun me kokë e shtyu në rrjetë për golin e fitores.

Shqipëria mbetet me 9 pikë, ndërsa Turqia e Franca i gëzohen kualifikimit me 18 pikë. Turqit nuk e humbasin traditën: në eleminatore arrijnë gjithnjë të na mundin e duke parë ndeshjen e sotme, për Shqipërinë kualifikueset me Turqinë janë kthyer në sindromë…

Trending