
Bashkimi i bllokut opozitar shqiptar në Maqedoni do të ishte një hap i madh, i cili do të vendoste në sprovë të vërtetë BDI-në dhe të gjitha ato parti politike që kanë synim ta heqin atë nga pushteti. Të gjithë ata që duan vërtetë shqiptarët me dinjitet të përfaqësohen në pushtet dhe jo nga “tender partitë”.
Por mir, çka nënkupton “blloku opozitar”? Sipas logjikës, kjo do të thotë, që partitë shqiptare që janë në opozitë të bashkohen kundër partive që janë në pushtet.
Pse? Sepse opozita është kundër politikave dështuese të pushtetit i cili përbëhet nga të gjitha partitë që janë pjesë të Qeverisë, që kanë ministra, zëvendësministra, drejtorë dhe funksionar të tjerë të qeverisë.
Në këtë rast i bie që opozita të bashkohet kundër partive që janë në koalicion Qeveritar dhe që vazhdojnë të jenë pjesë e pushtetit edhe pse vendi dështoi:
Në rrugën eurointegruese.
Në reformat në gjyqësor.
Në ekonomi dhe investime të huaja.
Në arsim dhe zhvillimin e domosdoshëm të paraleleve shqipe.
Në ekologji dhe sigurimin e jetesës së shëndoshë të qytetarëve.
Por dhe në të gjitha sferat e tjera.
Sipas logjikës së bashkimit të bllokut opozitat, po ashtu, i bie që partitë opozitare shqiptare duhet të luftojnë kundër partive shqiptare në pushtet të cilat, qëndrojnë në Qeveri e cila suksesin e vetëm që e ka arritur është krimi dhe korrupsioni, i cili po lulëzon për çdo ditë! Dhe “pushtetarëve” të vegjël nuk do mend që ju pëlqen, sepse padyshim, janë pjesë e kulaçit korruptues.
E nëse realiteti faktik është i këtillë, atëherë cila do të ishte logjika që partitë opozitare të cilat duan ta luftojnë krimin, të bëjnë bllok opozitar me partitë shqiptare që janë pjesë e Qeverisë së krimit?!
Logjika flet edhe për një dimension tjetër?
E kuptojmë që pse z. Kasami nuk do dëshironte koalicion me z. Gashin, ashtu si z. Sela kategorikisht nuk e dëshiron koalicionin me z. Thaçi.
Por nuk e kuptoj një gjë?!
Si ka mundësi që z. Sela të ftoj në koalicion z. Gashi dhe Alternativën, kur ata, rrinin pas derës së Qeverisë dhe mezi pritën që të zënë vendet e Aleancës për Shqiptarët në Qeverinë LSDM-BDI. Madje edhe pa kushte, vetëm që Sela të largohet. Qeveri e cila ia ktheu shpinën Selës dhe e nënçmoi duke e detyruar që të dalë jashtë.
Si ka mundësi që Ziadin Sela pa rezerva të ftoj Alternativën e cila dihet se si e përçau njërin krah të opozitës vetëm për pushtet. Dhe pas përçarjes partiake këtë e dëshmuan edhe me lëpirje në pushtet! Gjë e cila dëshmoi parimin e kundërt të Lëvizjes BESA se nuk e ka kusht pushtetin por vlerat dhe parimet që janë në interes të qytetarëve jo të partisë!
Një gabim të këtillë z. Sela e bëri në koalicionimin e vitit 2016, me Vesel Memetin i cili me urdhër të BDI-së përçau RDK-në e Rufi Osmanit. Por edhe me Gëzim Ostrenin i cili pasi u pensionua me pensionin më të lartë nga funksionet e marra në BDI, hapi parti se gjoja shqetësohej me gjendjen e shqiptarëve!
Këto ishin lojtarët e BDI të cilët atëkohë Z. SELA nuk i kuptoi dhe pësoi më së keqi. Gabim të cilin shpresoj ta ketë kuptuar pas kaq kohësh!
Pastaj, ka edhe një gjë tjetër të cilën vlerësoj se nuk është momenti tani të analizohet. Kjo është zgjedhjet presidenciale ku Sela e di shumë mirë se deri ku i ka punët në terren dhe me strukturat karshi Lëvizjes BESA.
Por në fund dua ta mbyll me atë, se LOGJIKA e bllokut opozitar thotë se koalicion mund të jenë “Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët”. Ndërsa me koalicion në të cilin do të ishte PDSH dhe Alternativa, nuk mund të quhet bllok opozitar, por “Bllok i opozitës me kriminelët, të cilët, sërisht krimit do i ndihmojnë të mbetet në pushtet”!
Xhevat Prespa, kryetar i LDSHM-së
25.10.2019





You must be logged in to post a comment.