Sikur dikush të kishte rënë në koma në 1989 dhe sot befas të zgjohej, do kujtonte që jeton ende në “socializëm”, aq të ngjashme janë festimet propagandistike për 75 vjetorin e çlirimit!!!
Lexoni listën e aktiviteteve që po zhvillohen me vendim të qeverisë – ku duket sikur 30 vjet demokraci nuk na kane mesuar asgje per historine. Po ndalem te 4 prej tyre, qe me veshtrim te pare duken me sensitivet:
1) Aktiviteti „Kampionatet Kombëtare – Kupa e 75 Vjetorit“ duket si reminishencë e të shkuarës. Ndërkohë që në mungesë të buxhetit, nxënësit nuk kanë mundësi të lëvizin nga një qytet në tjetrin për të bërë një ndjeshje, por e gjitha organizohet në frymën e të ashtuquajturit „edukim patriotik”, koncept ky që në vetvete hap debat në kuadër të epokës globale dhe vlerave universale që i kalojnë nocionet gjeografike.

2) Konkursi kombëtar i koreve, me “këngë në kuadër të 75 vjetorit të Çlirimit”. Nuk besoj se kërkojnë këngë nga festivalet e fëmijëve që zhvillohen çdo vit. Ndoshta mund të jenë këngë partizane ose patriotike. Ku qëndron problemi? Tekstet e shumë këngëve të njohura qoftë patriotike, qoftë partizane, sot në kushtet e një bote të lirë dhe globale, mund të tingëllojnë jo të përshtatshme; kanë tekste që përcjellin frymën e hakmarrjes, e nxitjes së urrejtjes ndaj “armikut brenda dhe jashtë vendit”, ose mobilizimit dhe thirrjes për luftë. Këto këngë nuk janë krijuar për fëmijë dhe si të tilla nuk mund të shërbejnë si modele të edukimit muzikor.
3) Konkursi kombëtar i historisë për shkollat e mesme. Konkurset janë shumë të rëndësishme dhe u shërbejnë nxënësve për të rritur motivimin, për t’i nxitur ata të shqyrtojnë burime të ndryshme informacioni apo edhe për të krijuar një të menduar kritik. Por nxënësit tanë fatkeqësisht nuk njohin një version objektiv të historisë. Edhe pse në vendim nuk është e shprehur qartë, “historia” që do të trajtohet është vetëm ajo e viteve 1939-1944 dhe ne e dimë si e kanë të trajtuar në kurrikulën shkollore. Mbetet në dorë të mësuesve se çfarë literature duhet të shohin nxënësit, ku duhet të bazohen dhe çfarë vlerash do të ketë ky konkurs. Mos harrojmë se në festimet e 70 vjetorit, diku në një shkollë në Fier nxënësit u veshën me rroba partizane dhe me pushkë druri, për të simuluar një betejë, imazhe që në ditët e sotme i shohim vetëm në Korenë e Veriut ose në celulat e ISIS. Për të mos përmendur shallin e kuq të pionierit që vitet e fundit e vendosin nëpër evente edhe politikanë.
4) Shpallja e datës 20 korrik si Ditë e Veteranëve! Nuk mjafton 5 Maji, Dita e Deshmoreve të LANÇ?! Dita e Veteranëve festohet në SHBA në një kontekst krejt të ndryshëm nga i yni. Si ka mundësi që nuk shpallëm dot një Ditë përkujtimore për viktimat e panumurta të komunizmit 45 vjeçar? Vendosja e vetos në mënyrën se si dhe çfarë shqiptarët duhet të përkujtojnë nuk i shërben pajtimit kombëtar, vetëm një interesi të ngushtë partiak.
Jonala Godole





You must be logged in to post a comment.