Autoritetet në Mogadishu thonë se të paktën 100 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pas shpërthimit të fuqishëm të një makine bombë, në një kryqëzim në pjesën jugperëndimore të kryeqytetit të Somalisë.
Zyrtarët thonë se ka gjasa që numri i viktimave të rritet. Disa njoftime flasin për rreth 120 të vrarë, sipas VOA.
Sipas njoftimeve paraprake kamioni i mbushur me lëndë shpërthyese kishte në shënjestër një zyrë taksash në kryqëzimin e rrugëve ku automjetet ndalojnë për të paguar tarifat e rrugës.
Një dëshmitar i ngjarjes i tha shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën somaleze se kishte parë gjak dhe pjesë të trupave të njerëzve të shpërndara kudo.
Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë grupi terrorist al-Shabab që ka lidhje me al-Qaidën, ka ndërmarrë sulme të ngjashme në të kaluarën.



You must be logged in to post a comment.