Zyrtarët amerikanë të zbulimit besojnë se Irani goditi gabimisht avionin e pasagjerëve të kompanisë Ukrainian Airlines, në bordin e të cilit ndodheshin 176 vetë. Lajmi fillimisht u raportua nga rrjeti CBS, që citon zyrtarët në fjalë.
Irani goditi gabimisht aeroplanin ukrainas mërkurën pranë Teheranit i cili kishte në bord 176 vetë.
Zyrtarët amerikanë thonë se ata besojnë se avioni Boeing model 737-800 i kompanisë ajrore Ukrainian Airlines International u godit nga një raketë, raporton rrjeti CBS, duke cituar zyrtarë të lartë të administratës.
Ukraina më herët tha se po shqyrtonte mundësinë e një sulmi raketash si shkak për rrëzimin e aeroplanit, por vetë Irani e përjashtoi këtë. Nga ana tjetër autoritetet iraniane refuzuan t’i japin kompanisë Boeing kutinë e zezë të avionit të rrëzuar. Në terren, përveç hetuesve iranianë, ka mbërritur edhe një ekip hetuesish nga Ukraina.
Rrëzimi i avionit ndodhi vetëm disa orë pasi Irani mori përsipër sulmin me raketa ndaj dy bazave ajrore që strehonin forcat amerikane në Irak.
Rrjeti CBS duke cituar zyrtarë të zbulimit amerikan, tha se një satelit zbuloi sinjalin e lëshimit të dy raketave, të ndjekura nga një tjetër goditje e një shpërthim.
/Ora News.tv/



You must be logged in to post a comment.