Duke folur këtë të enjte për koronavirusin, Edi Rama u është rikthyer sulmeve ndaj mediave duke afirmuar një karakteristikë të përbashkët që ka me të gjithë drejtuesit e vendeve autarkike: predominimin e luftës ndaj lajmit të rremë, përpara detyrimit për transparencë. “Këtë situatë duhet ta përballojmë me shumë besim. Ndaj ju sugjeroj të mbyllni televizorët, të fikni telefonat dhe mos humbisni kohë me lloj- lloj marrëzish e poshtërsish që njerëz me ligësi shpirtërore shpërndajnë duke bërë atë që është çnjerëzore dhe nga pikëpamja profesionale e padobishme”, tha ai gjatë një mbledhjeje të Komitetit kombëtar të sigurisë.
Por çfarë u pa në këtë mbledhje?
Aty iu dhanë përgjigje një morie pyetjesh që qeveria refuzonte t’i jepte që prej fundjavës së shkuar, kur epidemia shpërtheu në vendin tonë fqinj, në Itali.
Nga mediat që Rama i quan përhapëse paniku, është kërkuar të dihet pa ndërprerje se ku është vëndi i karantinimit të të dyshuarve si të prekur nga Covid-19. Të gjitha autoritetet shtetërore përgjigjeshin njëzëri se vendodhja ishte sekret për të mos përhapur panik. Vetëm sot u pohua normalisht, si në çdo vend demokratik të botës, se ai gjendej në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes në zonën e Durrësit ku me OBSH është konstatuar se i përmbush standartet.
Disa herë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastrirliu, u pyet në emisionin “Opinion” nga Blendi Fevziu se cilët ishin skenarët e planifikuar për përballimin e sëmundjes dhe ajo mbeti rob e teorisë së sekretit pa mundur të përgjigjej. Vetëm sot ajo foli se çdo të ndodhë në skenarin e parë me pak të prekur, me skenarin e dytë nëse numri shkon deri në 150 e kështu me radhë.
Po ashtu, edhe refuzimi i përgjigjeve për mungesat në pajisje dhe veshje që personeli mjekësor ka për t’u përballur me të infektuarit, sot ka marrë një sqarim duke thënë se më në fund qeveria ka akorduar 1 milionë euro për t’i blerë ato.
Pra ç’karantinimi i këtyre tabuve dhe sekreteve tregon dy gjëra: ose se në rastin më të keq qeveria në fundjavën që shkoi, ndryshe nga sa thoshte, ishte fare e papërgatitur dhe bërtiste “sekret” për të fshehur të palarat e saj, ose në rastin më të mirë ajo qe e përgatitur, por kishte zgjedhur një taktikë komunikimi të gabuar duke mosi i treguar publikut të vërtetën dhe duke shtuar ankthin e tij.
Secili nga këto versione po të jetë i vërteti, në të dy rastet mediat duhen falenderuar, qoftë se përmes presionit të shtuar e bënë qeverinë të lëvizë duke hequr dorë nga mashtrimi, qoftë se e detyruan atë për më shumë transparencë që ndihmon në qetësimin e publikut.
Prandaj ashtu si në rastin e Unazës së re, kur një emision i vetëm si “të paekspozuarit”, u shpëtoi shqiptarëve plot 40 milionë euro, mediat që Rama i quan kazan janë shpesh më të nevojshme se liderët autoritarë. Ato i pengojnë ata të marshojnë në qorrsokak.
©Lapsi.al



You must be logged in to post a comment.