
Presidenti Donald Trump “ka autoritetin e vetëm për të vënë në veprim Ligjin e Rebelimit” dhe “nëse është e nevojshme, ai do ta përdorë atë”, tha Sekretarja të Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, para gazetarëve të mërkurën pasdite.
Më herët gjatë ditës, Sekretari i Mbrojtjes Mark Esper tha se, “mundësia për të përdorur trupat në detyrë aktive në rolin e forcave të zbatimit të ligjit duhet të përdoret vetëm si shansi i fundit dhe vetëm në situatat urgjente dhe të ndera.”
Esper shtoi, “Ne nuk jemi në një nga këto situata tani. Unë nuk e mbështes vënien në veprim të Ligjit të Rebelimit”.
Ligji federal i vitit 1807 lejon presidentin, në rrethana të ndera, të vendosë trupa ushtarake dhe të Gardës Kombëtare brenda vendit për të shtypur mosbindje civile, kryengritje apo ebelim.
Mes njoftimeve se deklaratat e sekretarit të Mbrojtjes kanë zemëruar presidentin dhe zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, sekretarja e Shtypit u pyet nëse presidenti Trump vazhdon të ketë besimin e anëtarit kryesor të Kabinetit të tij që drejton Pentagonin.
“Tani për tani, Sekretari Esper është ende Sekretar Esper,” u përgjigj zonja McEnany. Kjo përgjigje e shpejtë do të shtojë më tej spekulimet se sekretarit të Mbrojtjes së shpejti mund t’i kërkohet nga presidenti të japë dorëheqjen.
Trump po mbron shëtitjen e tij nëpër Parkun Lafayette në një kishë historike, ku ai mbajti lart një Bibël vetëm disa minuta pasi forcat e rendit pastruan me dhunë rrugën.
Veprimet e presidentit Trump të hënën në mbrëmje janë kritikuar ashpër nga drejtuesit e Kishës Episkopale, përfshirë peshkopen e saj kryesuese, si dhe klerikë të shquar të emërtimeve të tjera të krishtera.
“Shumica e udhëheqësve fetarë e pëlqyen atë veprim,” pohoi Trump të mërkurën. “Pse të mos ta pëlqenin? Unë qëndrova para një kishe që kaloi përmes traumave.”
Trump, në një bisedë telefonike në mëngjesin e së mërkurës me radion Fox News, deklaroi se kisha, e cila daton në fillim të shekullit të 19-të dhe ka një lidhje të gjatë me presidentët amerikanë, “pati një djegie shumë të keqe” gjatë vandalizmeve të së dielës në Uashington.
Një zjarr i vogël në bodrumin e kishës u shua shpejt, sipas departamentit të zjarrfikësave të Uashingtonit.
“Ishte jashtëzakonisht e rëndësishme” që presidenti të shëtiste drejt kishës për të “dërguar një mesazh shumë të fuqishëm se ne nuk do të mposhtemi nga plaçkitja”, tha zonja McEnany.VOA

