Shteti i KASTRATIT! Pas zhvatjes me kursin e këmbimit bashkë me Salillarin, duan t’u marrin 18 euro shqiptarëve të Kosovës për të ardhur në Shqipëri

Kastrati dhe Salillari kërkojnë rritjen me 60% të tarifës së kalimit në autostradën Milot–Morinë. Nëse kërkesa miratohet, drejtuesit e automjeteve do të paguajnë 16 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.
Një kërkesë për rritjen e tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit, nga 5 në 8 euro, ka vënë në qendër të vëmendjes koncesionin e autostradës Milot–Morinë. Sipas një dokumenti që po qarkullon në rrjetet sociale, kompania koncesionare “Albanian Highway Concession” (AHC) ka kërkuar rishikimin e tarifës për automjetet.
Rritja e propozuar përfaqëson një shtrenjtim prej 60 për qind. Në rast se kërkesa pranohet, qytetarët do të duhet të paguajnë 8 euro për çdo kalim të traut, ose 16 euro për një udhëtim vajtje-ardhje, krahasuar me 10 euro që paguajnë aktualisht.
Kompania AHC administrohet në bashkëpronësi nga Kastrati Group dhe Salillari sh.p.k., me nga 50 për qind të aksioneve secila. Koncesionari është përgjegjës për administrimin e pikës së pagesës, operimin dhe mirëmbajtjen e autostradës, si dhe të tunelit të Kalimashit.
Sipas dokumentit të publikuar, i cili paraqitet si një memo e Njësisë së Zbatimit të Projektit “Milot–Morinë” pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, koncesionari ka argumentuar se tarifa prej 5 eurosh ka mbetur e pandryshuar që prej nisjes së operimit në vitin 2018.
AHC i referohet klauzolës 11.4.4 të kontratës koncesionare, duke pretenduar se tarifa duhet të indeksohet në bazë të ndryshimeve të treguesve ekonomikë. Në përllogaritjet e paraqitura për datën 1 shtator 2026, indeksi rezulton 1,597 dhe tarifa e propozuar arrin në 8 euro, me ekuivalentin prej 740 lekësh.
Në të njëjtin dokument, kompania pretendon se moszbatimi i indeksimit ka krijuar diferenca mes të ardhurave të realizuara dhe atyre të parashikuara, duke ndikuar në likuiditetin dhe ecurinë financiare të koncesionit. Gjithashtu, kërkohet trajtimi i efekteve që lidhen me ndryshimet e kursit të këmbimit.
Aktualisht, tarifa bazë për veturat është 5 euro me TVSH, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Trajtimit të Koncesionit.
Marrë nga: PISK



Leave a Reply