Bashkimi Evropian ka lëshuar një deklaratë të përbashkët të kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Në këtë deklaratë thuhet se të dyja vendet u zotuan se do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar përafrimin e mëtejshëm me BE-në, në përputhje me detyrimet përkatëse, transmeton Telegrafi.
“Në këtë drejtim, dokumentet e nënshkruara së fundmi në Washington, DC, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme lidhur me dialogun të ndërmarra nga të dy palët, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.
Takimi i 7 shtatorit në Bruksel vjen pasi më 4 shtator, Kosova dhe Serbia, në Shtëpinë e Bardhë arritën marrëveshje për normalizimin ekonomik. Marrëveshja, u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Para takimit të sotëm në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, janë takuar me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për çështje të Ballkanit, Matthew Palmer.

Trending