Dr. Partizan Petoshati ishte një bredh i diturisë shqiptare | Gazeta Dita

Albert HABAZAJ

Para pak kohësh erdhi në Vlorë, për të dhënë ndihmesën e tij në një veprimtari kulturore, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli, ish-skënderbegas dhe ish-pilot, poet romantik i idealeve të pastra kombëtare, miku im i vjetër që 45 vjet më parë. Biseduam gjatë, por përmbledhtazi shqetësimi ynë qytetar ishte ky:

Në një grumbullim mbytës të gjithologëve amorfë me profile të amortizuara nga ne, ku gufohesh nga zagushia e neveritshme e fërfërimës së varaktë të dekoratave me kollare, diturorët e vlertë, si gjithnjë e kudo, punojnë pa zhurmë, pa u dukur, si bleta që bie nektar për të mbushur hojet me mjalt në koshere. Gjithologët janë si shkurre pa trung,  rrëzave të kallamesë, moçalishteve me ujë të ndënjur. Diturorët janë si bredhat e pishat në faqe të malit, që u fisnikëron gjelbërisht ballin drita e diellit. Ikjet e diturorëve janë të trishtueshme si rrëzimi i pishave dhe bredhave nga faqja e malit. Ra një bredh nga mali i diturisë shqiptare. Iku një inxhinier i nderuar, dr. Partizan Petoshati, poliglot, si ulliri i pjekur me degët ulur, ngarkuar me kokrra. Ikjen e tij e përjetuan e hidhërim familjarët, të afërmit, miqtë e shoqëria bujare.  Po sa ikja u dhëmbi diturorëve harresa e përmendjes së emrit të tij të çmuar tek të tjerët. Bashkimi e kishte shumë mik të hershëm Partizanin e shpesh takoheshin në Tiranë. “Këta Petoshataj janë fis atdhetar, trima idealistë dhe dijedashës” – më thotë poeti Kozeli dhe tregon një libër të vjetër, të parin e tij me poezi, (1973), ku ka thurur edhe këtë poezi të ndjeshme e mallëngjimtare për vëllain e Doktorit “Pilotit dëshmor Kaso PetoshatiRapsodi Dule është këngë i tëri/ Dhe iso i mban gjithë fshati,/ Një ditë mes këngës u ndje një vajë …/ Qe mbesa e Kaso Petoshatit./ Të gjithë e ndërprenë ison/ E Dulja heshti hijerëndë./ “Mos qaj, i tha vajzës së vogël,/ Për Kason do të ngrë një këngë …”/ Dhe nisi këngën rapsodi Dule,/ Sa u drodh gryka e Dukatit./ A thua shkonte mbi vëndlindje/ Avioni i Kaso Petoshatit…

Është i nevojshëm përditësimi i kujtesës së nderimit të merituar, sidomos për brezat që ngrihen, domosdoshmërisht për ata që dëshirojnë të vijojnë Udhëtimin e Idealeve të larta të Sakrifikimit për Atdhe dhe për Dritën e përparimit. Tepër shkurt kujtojmë se Kaso Salo Petoshati ka lindur në qytetin e Vlorës. Studioi për pilot në ish-Bashkimin Sovjetik. Në karrierën e tij ushtarake punoi si instruktor në Akademinë e Aviacionit në Vlorë. Më 06.05.1971 gjatë një fluturimi stërvitor natën, ra në krye të detyrës së bashku me Shyqyri Ballën, shefin e Shtabit të Akademisë. Me vendim të Bashkisë së Vlorës Nr.132 datë 09.08.1994 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Vlorë.

Ndërsa vëllai i  tij, Partizan Petoshati njihej dhe vlerësohej si burrë i ditur dhe i ndershëm, fisnik e i thjeshtë, njeri i qeshur e me zemër të madhe jo vetëm në vendlindje, në Vlorë, Labëri e në shoqërinë diturore të Tiranës, por edhe tej përmasave të Shqipërisë.

***

Doktor i shkencave Partizan Petoshati ka lindur më 10 janar 1943, në fshatin Dukat të Vlorës dhe mbylli sytë në Tiranë më 8 gusht 2020. Ai rrjedh nga një familje e lidhur ngushtë me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ku i ati, dy xhaxhallarët e tij dhe i vëllai ishin pjesë përbërëse e formacioneve partizane. Po ashtu dhe njerëzit e nënës së tij, Safë Xhamalaj, familje partizane dhe dëshmorësh. Ai është vëlla i dy dëshmorëve: Prenjo Petoshatit, rënë dëshmor në LANÇ, shpallur dhe Dëshmor i Atdheut, si dhe i pilotit Kaso Petoshati, rënë në krye të detyrës.

Partizani, gjatë viteve 1950-1957, kreu arsimin fillor në shkollën “24 Maji” Vlorë me rezultate të shkëlqyera. Në vitet 1957-1961, ndoqi mësimet e shkollës së mesme “Ali Demi” të Vlorës dhe i përfundoi gjithashtu me rezultate të shkëlqyera. Në vitin 1961, dërgohet në Republikën Popullore të Kinës për të ndjekur studimet e larta për Meteorologji Sinoptike. Gjatë viteve 1961-1962, kreu një kurs përgatitor për mësimin e gjuhës kineze në “Institutin e Gjuhëve të Huaja” në Pekin. Gjatë periudhës shtator 1962 deri në nëntor të vitit 1966, vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Gjeofizikës të Universitetit të Pekinit në degën Meteorologji Sinoptike. Në mars 1968 u diplomua inxhinier sinoptikan në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit Shtetëror të Tiranës me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve të larta, prej majit 1968 deri në fund të majit 1975 punoi si inxhinier sinoptikan në Shkollën e Lartë të Aviacionit, Vlorë . Gjatë periudhës tetor 1974 – janar 1975 përfundoi një specializim për makinat elektronike llogaritëse dhe aplikimin e tyre në meteorologji në Pekin. Që nga qershori i vitit 1975 e deri në fundin e muajit dhjetor 1990 ka qenë Drejtor i Shërbimit Sinoptik të Aviacionit, Tiranë. Në janar të vitit 1991 u emërua Shef i Stacionit Sinoptik pranë Repartit të Helikopterëve Farkë, ku punoi deri në korrik të vitit 1992 dhe, për shkak të reformave që u kryen në atë kohë në ushtri, u nxorr në rezervë. Në vitin 1993, edhe pse jashtë radhëve të ushtrisë, u dërgua si përkthyes për një grup oficerësh të rinj në Republikën Popullore të Kinës, në Institutin e Raketave të Këmbësorisë në qytetin Lanfang, ku qëndroi për 3 muaj. Në nëntor të vitit 1997, rikthehet oficer aktiv në Forcat e Armatosuar të Republikës së Shqipërisë. Nga ai muaj e deri në fund të nëntorit 1998 punoi si koordinator në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Në dhjetor të vitit 1998, u emërua Atashe Ushtarak në Republikën Popullore të Kines, me gradën Kolonel. E mbajti këtë funksion deri nga fundi i vitit 2001. Në mars të vitit 2002 doli në lirim. Duke filluar nga marsi i vitit 2005 e deri sa mbylli sytë, ka punuar si përkthyes në një kompani shtetërore kineze. Për meritat e tij në fushën e Meteorologjisë së Aviacionit, me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 24.03.1995 iu dha grada shkencore Doktor i Shkencave. Gjatë kohës së kryerjes së funksioneve në ushtri, ka përgatitur dhe botuar studime të shumta dhe këto tekste mësimore për shkollat e larta apo monografi shkencore të fushës:

1- Meteorologjia e Aviacionit (Tekst mësimor);

2- Klimatologjia e Aviacionit (Tekst mësimor);

3- Kursi i Meteorologjisë për Artilierët (Përkthim nga Gjuha Kineze);

4- Instruksion Fluturimi për Aviacionin Gjuajtës tip-6 (Mig-19) (Përkthim nga Gjuha Kineze)

La të përgatitur, pas një pune voluminoze mbi 10-vjecare dy fjalorë Kinezisht-Shqip (njëri prej tyre me përmbajtje të gjerë deri në 100 mijë fjalë dhe shprehje idiomatike), të cilët janë në proces përpunimi për botim. Krahas këtyre librave, ka shkruar gjithashtu dhe mjaft artikuj shkencorë në revista shkencore e gazeta të ndryshme.

Doktori i Shkencave Partizan Petoshati zotëronte tetë gjuhë të huaja, ku katër gjuhë të huaja (Kinezisht, Rusisht, Italisht dhe Anglisht) i fliste shkëlqyeshëm me shkrim dhe me gojë.

Ikja e Partizanit nuk trishtoi vetëm të tijtë dhe të njohurit, por edhe të tjerët që kishin dëgjuar për të sepse qe një kualitet vlerash, ndërkohë që dinte të falte vetëm dashuri me fjalët e ëmbla, me kujtimet mbresëlënëse, me shakatë tipike dukatase. Ai mbahet mend dhe do të mbahet për diskutimet, bisedat, kujtimete jetës, që veç ai mund t’i tregonte aq bukur, patjetër për përgatitjen profesionale dhe erudicionin shkencor, që e përshtatte sipas grupmoshave, njohurive dhe kulturës së bashkëbiseduesit. Tashmë, ikja e tij është thjeshtë mungesa fizike e një vlere për të gjithë, sepse, përderisa kujtohet, nuk harrohet për intelektin, virtytet, zemërgjerësinë, batutat dhe histroritë që tregonte me aq dashuri, si ai.

Ky është portreti i këtij bredhi të bardhë që u rrëzua nga mali i Diturisë shqiptare. I dritëroftë kujtimi, se për dritë mirësie, atdhetarie e përparimi jetoi, veproi e jetoi, deri sa dha frymën e la pas emrin me dinjitet dhe kujtimin me nderim.

HUAZUAR NGA DITA.AL

Trending