“Diaspora për Shqipërine e Lirë”, “Vatra” dhe “Mbroj Demokracinë” nuk mendojnë se këte duhet ta përcaktojë qeveria, por akademikët e pavarur, ndërgjegjia e një kombi, memoria e të mbijetuareve dhe ajo kolektive!

Nën mjegullën e krijuar nga pandemia e Covid-19, mes emergjencash mjekësore e sociale që kërkojnë zgjidhje të shpejta, Kuvendi i Shqiperise, më 22 Tetor 2020 ka gjetur kohën të miratojë disa ndryshime në ligjin Nr. 10242, “Për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizimit në Shqipëri-ISKK”, të cilat e kufizojnë objektin dhe periudhën e hulumtimit shkencor të krimeve të komunizimit nga ISKK, nga 29.11.1944 deri në 08.12.1990.

Kjo nismë politike, e ndërmarrë nga një grup deputetësh që nuk kanë asnjë lidhje me qarqet shkencore, është një ndërhyrje flagrante dhe goditje e ulët që i bëhet jo vetëm punës së pavarur të akademikëve por edhe aspiratës së shoqërisë shqiptare për drejtësi për viktimat e komunizmit.

Shohim përditë një turravrap të çuditshëm për mbulimin e historisë dhe për të mpirë kujtesën kolektive: teatro shëmben, kulla sahatesh mbulohen nga babëzia për fitim, akademikëve u kufizohet puna shkencore për interesa të pastra politike… Manipulimi e mbulimi i historisë duhet të marrë fund. Po ashtu edhe ndërhyrja brutale dhe antikushtetuese e politikës në kërkimet akademike. Një popull pa kujtesë është një popull që rrezikon të mbetet pa të ardhme.
Prandaj “Diaspora për Shqipërine e Lirë”, “Vatra” dhe “Mbroj Demokracinë”, janë berë së bashku këto ditë për të ngritur zërin kundër këtij fenomeni të shëmtuar, aspak të denjë për një shoqëri që aspiron drejtesi dhe demokraci.

Ne do të kërkojmë e do të lobojmë me forcë mosdekretimin e këtyre ndryshimeve nga Presidenti i Republikës dhe tërheqjen e Kuvendit të Shqipërise nga ky ligj që na çon prapa, në kohët e errëta të historisë sonë.

Ju ftojmë të lexoni deklaratën tonë më poshtë duke i bërë thirrje shoqërisë civile dhe qytetarëve të ndershëm të na mbështesin në këte nismë.

BASHKOHU ME NE

Trending