Kryeministri Edi Rama thotë se memet në internet nuk mund të ndalen. I pyetur për një nismë ligjore të Kodit Penal që po shqyrtohet nga Ministria e Drejtësisë, kryeministri u shpreh se ishte habitur nga lajmi. Kryeministri tha se ka një dallim midis opinioneve, për të cilat tha se nuk e ka problem, ndërsa kur akuzohet si hajdut duhet të paraqiten fakte.

Advertisements

“Jo, jo. Absolutisht! Siç ka ndodhur me ata që janë habitur apo mahnitur nga ky lajm. Edhe mua kur ma thanë, e para sepse është e pamundur, teorikisht dhe praktikisht ti ndalosh memet. Por e dyta sepse, unë jam një njeri që më pëlqen të argëtohem me memet dhe shijues i kahershëm i humorit dhe humorit vizual po themi.

Kam pasur shumë dëshirë dhe e kam ende dëshirën që Bujar Kapexhiu të ekspozojë të gjitha karikaturat për mua në sallën e ekspozitave në kryeministri. Ai e di. Mbase e ka marrë si shaka, nuk e di por për të ardhur te pyetja juaja, e para nuk bëhet fjalë për një projekt.

Bëhet fjalë për një material të shkruar nga një grup pune, i cili po punon për Kodin e ri Penal dhe e dyta, edhe në atë material që nuk është akoma një projekt i Ministrisë së Drejtësisë dhe aq më tepër i qeverisë.

Është nen i marrë që e kanë shumë Kode Penale të Europës. E ka Franca… Dhe sigurisht që nuk lidhet me memet.

Sa i përket armikut të shtypit, unë kam një problem që nuk e zgjidh dot. Unë kam qenë aty ku jeni ju. Dhe duke qenë se kam milituar dhe duke qenë se kam një mendim të caktuar për cilësinë dhe vlerën e jashtëzakonshme që ka të shkruarit, ka një problem të madh me moskorrektesën dhe keqtrajtimin e fakteve.

Nuk kam problem që dikush shprehet negativisht ndaj meje. Në rast se më thonë gomar, është opinion dhe nuk e kam problem. Në rast se më thonë hajdut, ky nuk është opinion, kjo kërkon fakte”– tha Rama në Rtv Ora.

Trending