Bruno Ceka

Rikthimi i një organizatë të avokimit publik në Washington, për të afirmuar interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të vendeve amë të këtij komuniteti, ka bërë që shqiptarët në Amerikë të bashkohet edhe një herë dhe të themelojnë Kongresin Panshqiptar Amerikan, organizatë kjo që sipas kryesuesit të KPA-së, Bruno Ceka, ka për qëllim që të mbushë hendekun e një grupi avokues në Washington, e në qendra të tjera vendimmarrëse në SHBA.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, kryesuesi i KPA-së Bruno Ceka, tha se kjo organizatë do të plotësojë, por assesi të zëvendësojë rolin e organizatave ekzistuese shqiptaro-amerikane. Ai përmendi organizatat ekzistuese shqiptare, e në veçanti me Vatrën, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazetën Illyria dhe Gazetën Dielli, dhe shumë organizata përfaqësuese të komunitetit te tyre vendor në Neë York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.“KPA do të bëjë avokimin për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan tek vendimmarrësit në Washington dhe kudo në SHBA. Gjithashtu, KPA do të ofrojë zërin e saj për të përpiluar qëndrime/vështrime në çështjet e interesit publik, qoftë për komunitetin në SHBA, qoftë për Shqipërinë, Kosovën, dhe vendet tjera në Ballkan ku banojnë shqiptarët”, tha mes tjerash në intervistën për Telegrafin, kryesuesi i KPA-së Bruno Ceka, duke shtuar se KPA do të mundohet që të forcojë marrëdhëniet e posaçme në mes të SHBA-ve dhe shqiptarëve në saj, të bashkëpunimit më të madh politik dhe ekonomik.Telegrafi: Pikërisht në përvjetorin e 108’të të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, aktivistë të shumtë shqiptaro-amerikan, kanë themeluar Kongresin Panshqiptar Amerikan (KPA). A mund të na tregoni se si lindi ideja për themelimin e këtij Kongresi?

Bruno Ceka : Kongresi PanShqiptaro-Amerikan ka për qëllim që të rikthejë një organizatë të avokimit publik në Washington, për të afirmuar interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të vendeve amë të këtij komunitet. Ky zë i rëndësishëm ka munguar dhe kjo është vë re, sidomos gjatë kohëve të fundit.

Telegrafi: Z. Ceka, si veprimtar i spikatur shqiptaro-amerikan jeni kryesues i Kongresit Panshqiptar Amerikan. Çka do të thotë kjo për ju, dhe sa anëtarë tashmë janë bërë pjesë e këtij Kongresi?

Bruno Ceka : Për mua, kjo tregon që komuniteti shqiptaro-amerikan është i interesuar që të luaj një rol shumë aktiv në të mirë të komunitetit të vet në SHBA, dhe në të mirë të vendeve amë.Gjithashtu, tregon se ky komunitet ka dëshirë të di për kapacitetin e tij, dhe të mbledhë sa më shumë njerëz, që do të mund të bënin punë të dobishme nëpërmjet kësaj organizata. Jemi ende në hapat e para të krijimit të anëtarësisë, por do të jemi të hapur për të mbledhë kapacitetin e madh të komunitetit tonë.

Telegrafi: Cilat do të jenë përgjegjësitë e KPA-së, meqë Kongresi është themeluar të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë?

Bruno Ceka : KPA do të bëjë avokimin për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan tek vendimmarrësit në Washington dhe kudo në SHBA. Gjithashtu, KPA do të ofrojë zërin e saj për të përpiluar qëndrime/vështrime në çështjet e interesit publik, qoftë për komunitetin në SHBA, qoftë për Shqipërinë, Kosovën, dhe vendet tjera në Ballkan ku banojnë shqiptarët.Në fund, KPA do të mundohet që të forcojë marrëdhëniet e posaçme në mes të SHBA-ve dhe shqiptarëve në saj, të bashkëpunimit më të madh politik dhe ekonomik.

Telegrafi: Cili do të jetë bashkëpunimi juaj me politikën amerikane, pikërisht tani kur në krye të shtetit më të fortë të botë, është demokrati Biden?

Bruno Ceka : Ka një mundësi të madhe bashkëpunimi me administratën në ardhje të të zgjedhurit President Biden. Sapo të konsolidohemi ne do të bëjmë kontaktet e para dhe të përpiqemi që të kemi një zë të vazhdueshëm tek kjo administratë, por edhe në Kongresin Amerikan. KPA do jetë një organizatë jopartiake që është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në SHBA.

Telegrafi: Meqë në Shtetet e bashkuara të Amerikës, është një numër i madh i shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë, të cilët kanë për dekada me radhë kanë kontribuuar në mënyra të ndryshme për çështjen kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi. Cili do të jetë bashkëpunimi i KPA-së me komunitetin shqiptarë në SHBA?

Bruno Ceka : KPA do të mundohet që të përfshijë një grup të larmishëm shqiptaro-amerikanësh, gra dhe burra, profesionistë, afaristë dhe aktivistë të të gjitha brezave, dhe njerëzit që përfaqësojnë gjithë vendet e prejardhjes së këtij komuniteti.

Telegrafi pergatiti

Trending