
Detaje të reja zbulohen nga ngjarja tronditëse e ditës së sotme, ku një 25-vjeçar u vra nga policia fare pranë banesës së tij pasi tentoi ti largohej me vrap.
Shtohen dyshimet se policia manipuloi ngjarjen, duke thënë se qëlloi për vdekje të riun pasi i kërcënoi me armë dhe se arma u gjet më vonë aty pranë.
Sipas gazetarit të kronikës së zezë Driçim Caka, duke u bazuar në pamjet filmike të bizneseve pranë vendit të ngajrjes, i riu shfaqet duke vrapuar dhe në asnjë moment nuk ka shfaqur rrezikshmëri ndaj policëve. Sipas gazetarit 25-vjeçari u ekzekutua vetëm 50 m larg banesës së tij.
“Policia e Shtetit vrau një djalë të ri të pafajshëm. Në asnjë moment nuk dallohet në kamerat e sigurisë se ai i drejtoi armën policëve.
Në asnjë moment nuk u pa që ai të sulmonte policët. Në asnjë sekuencë të kamerave që u fshehën, ai nuk shfaq kërcënim, por vetëm ikën me vrap. Po po, ikën me vrap nga frika e një gjobe karantine ndoshta…
Edhe nëse kishte pistoletë (duke besuar versjonin e Policisë), ai e kishte hedhur shumë më parë, prandaj polici nuk kishte pse ta qëllonte. Efektivi i Policisë nuk qëlloi në ajër, nuk zbatoi procedurën duke e qëlluan në këmbë.
50 metër ishte larg 25-vjeçari nga dera e banesës. Fati deshi që rruga t’i pritej në mes dhe nga kush: Policia e Shtetit, ata që duhet të na mbrojnë. Arrestimi I policit është minimalja që duhet bërë. Përgjegjësia është akoma më e madhe…” – shkruan gazetari.
Por vjen njoftimi i policise per kete rast flagrant te perdorimit te armes pertej kufirit te lejuar
SHÇBA ka dhënë rezultatetet e para nga hetimi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha në Laprakë mesnatën e kaluar nga një efektiv i Policisë.
Sipas SHÇBA, nga hetimet paraprake del se efektivi i Policisë ka kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme. Në njoftim zyrtar SHÇBA thotë se polici N.H, nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit.
Gjithashtu një tjetër detaj është se grupi i posaçëm hetimor ka sekuestruar dy gëzhoja dhe një predhë që dyshohet se kanë dalë nga arma e policit.
‘’Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.’’- thotë SHÇBA.
NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një 25 vjeçar, specialistët e SHÇBA u angazhuan menjëherë së bashku me grupin hetimor të ngritur për këtë qëllim.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, sqarojmë se:
Sot rreth orës 01:45, punonjësi i policisë N.H., efektiv i Patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K.R., i cili ka gjetur vdekjen në spital.
Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit.
Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.
Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin.
Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital.
Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore.
Gjatë hetimeve paraprake, si kqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H.
Nga grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë.
Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.
Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Duke përfituar nga ky komunimim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet.

