
Kryetarja e Bashkisë së Shkodërës ka denoncuar në prokurori drejtuesit e policisë së shtetit për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
“Qytetarët duhet ta dinë se kur disa të rinj, të panjohur dhe të pambështetur nga protestuesit e tjerë, u drejtuan nga selia e PS, njoftova autoritetet më të larta të Policisë në Shkodër. Policia ndenji me duar në xhepa, duke parë dhunimin e selisë, pa bërë asnjë veprim”, shkruhet në kallëzimin e kryetares së Bashkisë.
Kallëzimi penal është bërë për mos zbatim të detyrave që sanksionon ligji për policinë e shtetit në nenet 17, 105, etj., përkatësisht për mos angazhimin në mbrojtjen e pronës publike dhe private; mos ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; mos parandalimin në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal; për mos marrje dhe trajtim pranë strukturave përgjegjëse, ankesat e shtetasve, në mënyrë të veçantë kallëzimet penale ose informacionet e dhëna në rrugë të ndryshme për vepra të ndryshme penale. Ai është dërguar sot në Prokurorinë e Shkodrës.

