
NGA ARTUR MEÇOLLARI
Në datën 2 dhjetor 2020, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014, “për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, projektligj i cili u kthye në ligj nga Parlamenti më 8 shkurt 2021. Por Presidenti i Republikës, nëpërmjet një arsyetimi të gjatë e ktheu ligjin në Parlament, duke mos e dekretuar.Në arsyetimin e kthimit të ligjit, Presidenti bën një argumentim të plotë të disa çështjeve, por në fund të trajtimit të propozimit për uljen e nivelit të arsimimit për rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë nga niveli me shkollë të mesme, në atë me 9-vjeçare, ai përfundon:-“Kjo zgjidhje, qartazi është tregues i mungesës së vizionit në drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, por edhe një masë që në terma afatgjatë, do të çojë në uljen e imazhit dhe kredibilitetit të tyre”.Ky përfundim i Komandantit të Përgjithshëm të FA, qartazi i drejtohet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Bajram Begaj. Konkluzioni shkon përtej vlerësimit për këtë gjetje të propozuar. Gjeneral Begaj e mori detyrën më 29 korrik 2020 dhe shpalli vizionin e tij për FA, për tre vitet që ai do të drejtojë Shtabin e Përgjithshëm të FA.Por le të kthehemi te kërkesa e arsimimit për ushtarët/detarët aktivë. Presidenti i Republikës parashtron një seri vërejtjesh për këtë regres në sistemin e edukimit të kërkuar në FA. Në vitin 2019, në Ministrinë e Mbrojtjes u ngrit një grup pune për vlerësimin e efekteve të ndodhura mbas miratimit të ligjit nr. 59/2014, “për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Kryetar i grupit të punës ishte gjeneralbrigade Bajram Begaj, asokohe Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Anëtarë të atij grupi ishin komandantët e komandave kryesore, mes të cilëve edhe shkruesi i këtyre radhëve, me cilësinë e zëvendëskomandantit të Forcës Detare-komandant në detyrë.Grupi i punës qysh në fillim evidentoi disa probleme serioze që kishte shkaktuar ligji i vitit 2014, të cilat ishin: Pabarazia në procesin e konkurimit të ushtarakëve me grada të ulëta, si dhe mosgarantimi i periudhës 15 vjeçare të shërbimit për këtë kategori ushtarakësh. Këta dy elementë krijonin pasiguri juridike në karrierë dhe ishin, siç u evidentua, arsyeja e dytë pas pagave të ulëta, e largimeve nga FA të ushtarakëve me grada të ulëta, kryesisht oficerë dhe ushtarë/detarë. Një pasojë tjetër e rëndë, u vlerësua mungesa e korelacionit midis zgjatjes së moshës së lirimit dhe kohës minimale të qëndrimit në gradë. Kjo mungesë kishte shkaktuar që gradat e larta, kryesisht kolonel dhe nënkolonel, ishin kthyer në barrierë për ecurinë në karrierë të gradave të ulëta. Pra, një faktor tjetër që ndikonte në pasigurinë për ecurinë në karrierë. Në vitin 2014 u rrit mosha e daljes në pension për kolonelët dhe nënkolonelët, por nuk u rrit koha minimale e qëndrimit në gradë, për të gjitha gradat. Megjijthatë ky grup pune kurrë nuk e pati si variant zgjidhjeje, uljen e kërkesës për nivelin arsimor të rekrutimit të ushtarëve/detarëve aktivë. Kjo është një “risi” që mund të jetë “prodhuar” në ndonjë tavolinë tjetër. Por, çështja e ndryshimit të ligjit për karrierën, ka edhe një pabesi tjetër. Sepse grupi i punës gjithashtu evidentoi nevojën e ngritjes së Akademisë Ushtarake, por edhe përmirësimin e trajtimit të ushtarakëve.Në fund të vitit 2018 Ministria e Mbrojtjes, duke parë largime në masë të madhe nga FA, sidomos të oficerëve të rinj, por edhe pamundësinë e rekrutimit të ushtarëve në nivelet e kërkuara, përveç ngritjes së grupit të punës, i kërkoi palës amerikane dërgimin e një eksperti për menaxhimin e personelit. Eksperti erdhi nga muaji qershor ose korrik 2020, me financimet e SHBA dhe vijon punën. Në kthimin e ligjit nga Presidenti nuk përmendet kjo ekspertizë e ardhur. Por, një pyetje lind vetiu: A është konsultuar Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm me ekspertin amerikan? Apo kur ai të përfundojë punën, ligji do të ndryshohet përsëri? ME 9 VJEÇARE!Sot në Shqipëri një numër i kufizuar nxënësish të arsimit 9-vjeçar, nuk e vijojnë arsimin e mesëm. Dhe nga ata që fillojnë arsimin e mesëm, një numër edhe më i vogël, nuk e përfundojnë atë. Shumica e atyre që nuk përfundojnë një arsim të mesëm, kryesisht nuk janë nga zonat urbane. Pra, kjo kategori do të jetë kontigjenti që do të “përmirësojë” sistemin e rekrutimit në FA.Dihen e njihen, profesionet që kryejnë ushtarët në FA, doemos ato që kryejnë detarët. Ata janë mitralierë apo topçinj, “me ssteme komandimi në distance dhe ndjekje dhe goditje automatike të objekteve”. Ata janë radistë, që përveçse duhet të kenë njohuri minimale të anglishtes, duhet të njohin teknologji të përparuara komunikimi dhe procedurat e komunikimit me NATO-n. Ata janë motoristë, specialistë IT, përpunues informacioni të zbulimit detar. Edhe kontigjentet aktuale me arsim të mesëm, kanë veshtirësi në përmbushjen e detyrës me profesionalizëm. Në vend që të gjejmë mënyra dhe forma për të rritur profesionalizmin e detarëve me shkollë të mesme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kërkon uljen e nivelit arsimor në FA për ushtarët dhe detarët. Sot detarët përbëjnë rreth 25% të personelit të Forcës Detare. Ata janë të përfshirë në të gjitha strukturat e FD. Ulja e nivelit të arsimimit për detarët, të paktën për FD do të jetë një dëm i jashtëzakonshëm. Thuhet kjo, duke patur parasysh që teknologjia në përdorim tashmë është moderne dhe projektet për modernizimin e FD duke filluar nga viti 2022, do të kërkojnë një trupë edhe më profesioniste. Siç shprehet Ministria e Mbrojtjes në relacionin për projektligjin, niveli i rekrutimeve të ushtarëve/detarëve është nën 70%. Ky projektligj do ta zgjidhë çështjen për një periudhë afatshkurtër, aq sa është edhe mandati i Shefit të Shtabit të Përgjithshëm aktual. Dhe gjeneral Begaj do të mbahet mend se “rriti nivelin e rekrutimeve” të ushtarëve/detarëve aktivë në FA. Por, cili do të jetë efekti në periudhën afatmesme dhe afatgjatë?TË HEDHIM LUMIN!Së pari, qysh në nivelin afatshkurtër, do të ulet niveli i profesionalizmit në një ushtri që synon teknologji bashkohore dhe ndërveprim me NATO-n. Por, ky lloj rekrutimi do të krjojë efekte negative në meritokracinë brenda trupës së ushtarëve, deformim të konkurencës, si dhe pasoja të rënda në trupën e nënoficerëve. Ushtarët/detarët profesionistë janë i vetmi burim me ligj, për rekrutimin e trupës së nënoficerëve. E për një periudhë 5-6 vjeçare ky fenomen do të shfaqet në rektrutimin e nënoficerëve. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ardhshëm, po të ketë të njëjtin vizion, do të propozojë që edhe nënoficerët të rekrutohen nga trupa e ushtarëve/detarëve profesionistë, po me arsim 9-vjeçar. Nënoficerët dhe ushtarët/detarët janë trupa profesioniste me specializim shumë të ngushtë, që mbajnë barrën kryesore në çdo strukturë të FA për gadishmërinë dhe përdorimin e teknikës ushtarake. Pra, ligji i ri, nëse miratohet, do të zyrtarizojë përfundimisht injorancën në FA.Misioni i një drejtuesi, nuk ka të bëjë me zgjidhjet afatshkurtëra brenda mandatit të tij. Vizioni i tij, nuk duhet të jetë një produkt për zgjidhje afatshkurtra, madje as afatmesme, por afatgjata. Në të kundërt, ai është një projekt pragmatist për përfitime të çastit individuale apo kolektive, pa llogaritur dëmin që mund të shkaktohet. Vizioni është produkti kryesor i një lideri, e ai nuk mund të elaborohet pa një edukim solid në fushën përkatëse, ekperiencë të gjatë në institucione në të gjitha nivelet, e mbi të gjitha, pa vullnetin për të vënë interest e institucionit mbi interesat personale.Në vizionin e SHSHP për vitet 2020-2023 në pjesën e menaxhimit dhe zhvillimit të personelit, thuhet:-“Procesi i rekrutimit do të përmirësojë cilësinë e oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve”… Nuk po trajtoj në këtë shkrim, vizionin e SHSHP 2023, por propozimi për uljen e nivelit të kërkuar arsimor të detarëve, bie në kundërshtim me vetë vizionin e SHSHP. Ai bie gjithashtu ndesh me Strategjinë Ushtarake, ku lidhur me rekrutimin, shprehet: “Synimi të jetë rritja e cilësisë në rekrutimin e kandidatëve që dëshirojnë të shërbejnë në radhët e Forcave të Armatosura, duke tentuar përzgjedhjen e kandidatëve me nivel më të lartë arsimimi“.Ushtaraku në ditët tona është profesion i mbështetur mbi edukimin dhe eksperiencën. Një propozim i tillë duket nuk merr parasysh kërkesat profesionale të strukturave në nivel të ulët operacional, madje realizon shkëputjen e hirarkisë së lartë ushtarake, nga trupat. Kjo shkëputje, është edhe efekt i papërshtatshërisë profesionale në emërimet e drejtuesve të lartë të FA, fakt i cili ka ndikimet e veta në një karrierë të bazuar në meritiokraci, në motivim të trupave profesioniste dhe në operacionalitetin e strukturave. Ideja e uljes së nivelit të edukimit për ushtarët/detarët, është një ide brilante për të shkatërruar një Forcë të Armatosur, pa luftë.

