
Miliona doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca për koronavirusin qëndrojnë të magazinuara në temperatura të ulta në SHBA. Ato nuk mund të administrohen në shtetet amerikane pasi vaksina nuk ka marrë ende miratimin për përdorim nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve. Por administrata Biden nuk po lejon që ato të dërgohen jashtë vendit, ndërkohë që aleatët e Shteteve të Bashkuara po përpiqen të sigurojnë doza të mjaftueshme për pjesën më të rrezikuar të popullatës së tyre.
Vaksina me dy doza e kompanisë AstraZeneca, ka marrë miratim për përdorim emergjent nga Bashkimi Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por jo në Shtetet e Bashkuara. Tani partnerët e Shteteve të Bashkuara po nxisin Presidentin Joe Biden të lejojë që këto vaksina të vihen në dispozicion të vendeve të tjera, duke theksuar se administrata ka doza të mjaftueshme nga tre vaksina të miratuara tashmë, për të mbuluar çdo të rritur amerikan deri në fund të majit dhe të gjithë popullsinë amerikane deri në fund të korrikut.
Kompania AstraZeneca tha se vaksinat e prodhuara në SHBA janë “në pronësi” të qeverisë amerikane dhe se dërgimi i tyre jashtë vendit do të kërkonte miratimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Ne e kuptojmë që qeveri të tjera mund të kenë kërkuar që qeveria amerikane të dhurojë dozat e vaksinës AstraZeneca. Ne i kemi kërkuar qeverisë amerikane që t’i shqyrtojë me kujdes këto kërkesa,” tha në një deklaratë Gonzalo Viña, zëdhënës i kompanisë AstraZeneca.
Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së diskutuan këtë javë vështirësitë e marrjes së dozave të prodhuara në SH.B.A. Qeveria gjermane tha të premten se ishte në kontakt me zyrtarët amerikanë në lidhje me furnizimet e vaksinave, por theksoi se Komisioni Evropian ishte institucioni drejtues kur bëhet fjalë për të siguruar vaksina për vendet anëtare.
Presidenti Biden dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen kanë udhëzuar përfaqësuesit e tyre të diskutojnë zinxhirët e furnizimit në prodhimin e vaksinave.
“Shpresojmë të jemi në një pozitë të favorshme në të dyja anët e Atlantikut për të siguruar sasi të mjaftueshme të vaksinës për t’u shpërndarë sipas planit e për të përfunduar fushatat e vaksinimit”, tha zëdhënësi i komisionit të BE-së, Eric Mamer.
Edhe pse nuk është miratuar për përdorim në SHBA, mbi 10 milionë doza të vaksinës së AstraZeneca-s janë magazinuar në vend për përdorim të brendshëm dhe sipas kushteve të marrëveshjes së kompanisë me qeverinë federale, ato nuk mund të eksportohen.
“Ne kemi një sasi të vogël inventari të vaksinës së AstraZeneca-s në mënyrë që po të miratohet, mund ta shpërndajmë atë sa më shpejt që të jetë e mundur tek populli amerikan, tha koordinatori i Shtëpisë së Bardhë për COVID-19, Jeff Zients të premten, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara po ndjekin të njëjtën procedurë që kanë përdorur për vaksinat që tashmë janë miratuar.
Kompanive farmaceutike, të cilat morën ndihmë federale për zhvillimin apo zgjerimin e prodhimit të vaksinave, iu kërkua të shesin dozat e tyre të para në Shtetet e Bashkuara. Në rastin e kompanisë AstraZeneca, vaksina e së cilës fillimisht pritej të ishte e para që do të merrte autorizimin federal për përdorim emergjent, qeveria amerikane urdhëroi 300 milionë doza – të mjaftueshme për 150 milionë amerikanë – përpara se problemet në provat klinike të vaksinës të vononin miratimin e saj në Shtetet e Bashkuara.
Kompania tha këtë muaj se do të ketë afërsisht 30 milionë doza në dispozicion të qeverisë amerikane deri në fund të marsit dhe 20 milionë të tjera në fund të prillit.
Ndërsa rregullatorët e vendeve të tjera kanë ecur përpara me miratimin e vaksinës, Shtetet e Bashkuara nuk kanë hequr dorë nga e drejta kontraktuale për dozat e para të prodhuara në Sh.B.A.
Kjo politikë është kritikuar gjithashtu nga vendet fqinje të Shteteve të Bashkuara si Kanadaja dhe Meksika, të cilët janë detyruar të kërkojnë vaksina të prodhuara në një kontinent tjetër dhe jo nga aleati përtej kufirit. Zbatimi i kësaj politike vjen ndërsa administrata Biden ka blerë doza të mjaftueshme të Modernës, Pfizer-it dhe Johnson & Johnson-it për të qenë në gjendje të vaksinojë 150 milionë më shumë njerëz sesa popullsia e saj deri në fund të vitit.
Shtetet e Bashkuara kanë porositur gjithashtu 110 milionë doza vaksine nga Novavax, e cila pritet të paraqesë kërkesë për miratim për përdorim emergjent brenda pak javësh.



