
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në muajin prill pret që të vijnë në Shqipëri edhe 90 mijë doza të tjera vaksinash. I pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” ku dhe priti 38 mijë e 400 doza të vaksinave nga Astrazeneca, Rama tha se në muajin prill, pritet të vijnë 60 mijë doza të tjera vaksinash, po nga Astrazeneca. Ndërsa nga Pfizer, pritet të vijnë edhe 30 mijë doza të tjera.
“Nesër ne do nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë vendin procesin e vaksinimit në shkolla, duke i kthyer këto të fundit në pika vaksinimi. Shpresojmë të vijnë shumë shpejt sasi më të mëdha. Në muajin prill presim nga Astrazeneca edhe 60 mijë doza të tjera. Po në muajin prill presim edhe 30 mijë doza të tjera nga Pfizer. Ideja është të kemi një vaksinim intensive që të thyejmë zinxhirin e infektimit dhe të zbusim situatën për tu bërë gati për sezonin turistik” – tha Rama ndër të tjera.
Ai i ka bërë ftesë Kosovës që të sjellë mjekët e spitaleve Covid për t’i vaksinuar me dozën e parë anti-Covid.
“Nesër ne do nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë në të gjithë vendin procesin e vaksinimit në shkolla. Shpresojmë të vijnë shumë shpejt sasi më të mëdha. Në muajin prill presim nga Astrazeneca edhe 60 mijë doza të tjera. Jemi gati nga dita e nesërme të organizohemi së bashku me Kosovën për tu dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve Covid, duke filluar me atë të Prishtinës, i presim në Kukës. Nuk besoj të ketë mungesë dëshira nga ta. Edhe në Kosovë duhet të thyhet kjo mungesë e tmerrshme e dozës së parë. Më pas edhe Kosova do të ketë dozat e saj,” – tha Rama.



