Në vajtje Cristiano Ronaldo kishte mposhtur Cagliari me një dygolësh, këtë herë ai shënoi tre gola (si kundër sardëve sezonin e kaluar) dhe në fakt e mbylli ndeshjen pas gjysëm ore të pjesës së parë: përfundoi 3-1 në Sardegna Arena, në stadiumin e vetëm italian në të cilin CR7 ende nuk kishte shënuar. Gola shumë të rëndë dhe me mesazh të qartë, pas eleminimit të bardhezinjve nga Champions League dhe centrifugës pasuese që kishte përfshirë portugezin ditët e fundit, në një tymnajë dyshimesh, zërash merkato e supozimesh. Ronaldo u përgjigj duke shënuar golin e 23 në kampionat, i 95 në 122 ndeshje për Juventusin. Cagliari mund vetëm të dorëzohet përballë një tërbimi të tillë të portugezit dhe të koleksionojë humbjen numër 18 kundër bardhezinjve, duke ndërprerë serinë pozitive që zgjaste prej tre ndeshjesh radhazi.

Trending