Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialdemokate e drejtuar nga deputeti Tom Doshi. Për pasojë, Doshi do të jetë kandidat për deputet në Qarkun e Shkodrës dhe atë të Tiranë.

“Informacioni i ardhur nga Drejtoria e Burgjeve, për kandidatët për deputetë të subjektit politik Partia Social Demokrate nuk përbëjnë kusht për mos regjistrimin e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit”, tha KQZ.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në KQZ, Ivi Kaso tha se ky është rast i pastër ku dëbimi konsiderohet me burgim dhe sipas tij duhej të merrej në konsideratë kërkesa e SHBA.

“Në vijim të qëndrimit që ne si subjekt politik kemi pasur, jemi të mendimit që subjektit nuk i lind e drejta për t’u regjistruar në një proces zgjedhor pikërisht për shkak të ndalimit që neni 2 i ligjit të dekriminalizimit parashikon”, tha Kaso.

Ambasada amerikane në Tiranë kërkoi publikisht mos kandidimin e Doshit si deputet, duke theksuar se është shpallur person non grata në SHBA. Gjithashtu, Partia Demokratike depozitoi një kërkesë në KQZ që të mos regjistrojë Doshin.

Trending