
I rrethuar nga socialistë të vjetër në Fier, në krye të të cilëve ka vendosur Erion Braçen, kryeministri Edi Rama foli për rrezikun e taksës së sheshtë 9%, që ka premtuar Partia Demokratike. E quajti “taksa që ëndërrojnë oligarkët” dhe që “favorizon më të pasurit, pa e çarë kokën fare për të varfërit”. “Do rikthehemi në kohën kur, kush fitonte më pak, paguante më shumë” foli Rama, sikur paralajmëronte një rrezik, nga i cili, ata që e dëgjonin duhej të trembeshin.
“Ne u goditëm fort, unë i pari, si njerëzit që qeverisëm për një pakicë të pasurish, si njerëzit që jemi këtu për t’iu shërbyer oligarkëve, por po të shohësh faktet, faktet flasin krejt ndryshe” tha kreu i qeverisë, ndërsa u zotua edhe një herë se në emër të parimit se “kush fiton më shumë, duhet të paguajë më shumë, kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak”.



