
Një heshtje e pazakontë e kaploi Këshillin e Ministrave me portofol të trashë i mbledhur posaçërisht për çështjet e diasporës. Gjithë ato personalitete mbetën pa fjalë kur i Shefi i shefave bëri pyetjen e papritur: “Për çfarë na duhet diaspora?”.
Qetësi. Asnjë zë apo zhurmë, përveç fëshfëritjes së mikrofonit. Vështrime të hutuara. Shefi i shefave vinte nga fusha e artit dhe e mediave, dhe dinte t’i shfrytëzonte pauzat si mjeshtër i vërtetë skene. “Le të flasim pa doreza. Shkurt e troç fare”, tha me ton babaxhani.
Akullin e theu Ministri i Ekonomisë informale, z. Tim Investi: “Diaspora është forcë e madhe ekonomike për vendlindjen dhe vendin ku jetojnë. Ata sjellin investime thjesht nga malli. Ndihmojnë pa kërkuar asgjë. Pastaj as që votojnë…”. Të gjithë pohuan me kokë.
“Përveç kësaj, flukset e remitancave, pra dërgesat në para, janë të vyeshme për buxhetin, shtoi i sigurt Ministri në krah i financave dhe i lavazhit, z. Lek Kacidhja. Pa prurjet e tyre, monedha jonë do të kishte shkuar tatëpjetë e rrezik t’u ktheheshim tollonave si dikur”.
U duk sikur anëtarët e tjerë morën guxim në diskutim. Me bindje e mori fjalën Ministri i zhvillimit ekonomik dhe i papunësisë, z. Përparim Amvisi: “Diaspora është gjithashtu zhvillues i vendeve të punës, sepse me kursimet e tyre krijojnë vende të reja pune dhe profesionistë. Tek e fundit janë fitoret tona”.
“Mos harroni peshën në sektorin turistik – ndërhyri Ministri i Turizmit dhe i rrjepjes, z. Endi Vërdalla. Pa diasporën e hershme e të vonët nuk do të kishte turizëm e si rrjedhim të ardhura. Përveç kësaj vijnë me pasaporta të tjera dhe i numërojmë si të huaj”.
Ministrja e Tregtisë dhe e allishverisheve, znj. Vlera Pazari, ngriti dorën për të kërkuar fjalën: “Emigrantët me paratë që dërgojnë nxisin tregtinë dhe konsumin: kafe, qofte, raki, celularë… kurse vetë nuk rrinë kurrë nëpër lokale”.
Shefi i shefave me vëmendjen e vet i inkurajonte, por pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë.
Ministri i Infrastrukturës, i Ndërtimeve pa leje dhe i Betonizimit, z. Murat Ori, u shpreh pak e saktë: “Ata blejnë shtëpi në atdhe. Kështu justifikojmë ndërtimet pa fund”.
E ngarkuara me punët e Kulturës e të padijes, znj. Dituri Gdheja, u përpoq t’ia ndërrojë drejtimin muhabetit: “Diaspora është kulturë. Emigrantët përthithin njohuri të reja. Mësojnë edhe gjuhën tonë të lashtë. Të paktën ata besojnë dhe kënaqen me dy abetare”.
Ministrja e çështjeve të jashtme, ndërkontinentale dhe e notave verbale, znj. Amba Sada, e kapi menjëherë temën dhe vijoi konceptin sikur po e korrigjonte me kunj: “Emigrantët, më shumë se njohuri, kanë njohje, të cilat i përdorin për të mirën e mëmëdheut. Ata janë ambasadorë të qeverisë, ose më mirë të shtetit. Prandaj na duhen shumë”.
Që të mos ia digjte idenë, krejt pa leje ndërhyri Ministri i Drejtësisë dhe i ujdive, z. Pajtim Kadiu: “Diasporën e përbëjnë Avokatët e Kombit, sepse ata e mbrojnë vendin e tyre kudo që janë. Lipsen patjetër. Historia do të na gjykojë”.
Ministri për Emigrantët dhe për refugjatët e suksesshëm, z. Flamur Mërgimi, preferoi të mos fliste, sepse kishte konflikt interesi. Po kështu Ministrja e dekoratave, e titujve dhe e krekosjes, znj. Merita Ylli.
Edhe Shëndetësia, farmacitë dhe spitalet private, e kishin Ministren e vet, znj. Fitime Barna, e cila u shpreh: “Emigrantët në diasporë i ndihmojnë familjarët me probleme shëndetësore. U blejnë ilaçe pa hile dhe paguajnë spitalet e doktorët. Pa dyshim që i duhen sistemit”.
Ndërkohë që titullarët e Ministrive të tjera po mendonin se çfarë gjërash inteligjente të thoshin, u dëgjua zëri kumbues i Shefit të madh, që praktikisht e ndërpreu mbledhjen: “Jo, askush prej jush nuk e ka kapur thelbin e çështjes, dobinë e vërtetë të diasporës. Gabimi juaj është se i shikoni emigrantët ngushtësisht nga këndvështrimi i profesionit dhe i detyrës që keni. Qasje e reduktuar”.
Ministrat panë njëri tjetrin në sy, midis habisë e keqardhjes, edhe ngaqë dukej sikur e kishin filluar mirë diskutimin. Shefi nuk u la kohë të mendonin: “Diaspora është dritë, duartrokitje, shikueshmëri, fabul, vëmendje, ekran, telekamerë, pëlqim, lojë, retorikë, platformë… me dy fjalë është skenë e publik njëkohësisht”.
Heshtja fillestare u shfaq përsëri rreth tryezës. Në vështrimet që kërkonin njëri tjetrin kishte hutim e pikëpyetje bashkë. “Besoj se e kuptuat këndvështrimin tim gjithëpërfshirës e modern. Skenë e publik, përsëriti duke shkelur syrin. Trajtimi i diasporës është art më vete”, shtoi duke buzëqeshur shejtanisht, me qëndrimin e tij prej protagonisti.
Duartrokitja që pasoi vetvetiu tingëlloi më shumë si pranim faji.
Rando Devole
[rubrika Humor/Satirë]




You must be logged in to post a comment.