
Ka zgjatur më shumë se dy orë protesta e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha kundër nismës ‘Ballkani i Hapur’ pasditen e së hënës në Tiranë.
Grumbullimet e protestuesve nisën në oborrin e selisë së PD, ndërsa me mbërritjen e ish kryeministrit Sali Berisha u marshua në këmbë drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ përballë kryeministrisë.
Të pranishëm në protestë ishin mijëra persona të ardhur edhe nga rrethet, por edhe nga Kosova.
Kujtojmë se pjesë e fjalimeve të mbajtura ishte edhe ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërkmolli.
Ajo që ra në sy ishte monitorimi i godinës së Kryeministrisë e cila sic duket edhe nga fotot e fotoreporterit të Politiko.al Gisel Dollani është rrethuar nga furgonë policie dhe efektivë të pajisur me snajper, për të siguruar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës, megjithatë, nuk u shënua asnjë incident.
Vlen për t’u theksuar vetëm një moment kur protestuesit kanë tërhequr dhe djegur flamurin serb të vendosur përgjatë Bulevardit bashkë me flamurin shqiptar dhe atë maqedonas.
politiko.al

