
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania njoftuan të premten se do të bllokonin pasuritë e Presidentit Vladimir Putin dhe Ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov, në një akt të paprecedentë për të detyruar zotin Putin të ndërpresë sulmin ndaj Ukrainës.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki la të kuptohet se sanksionet amerikane nënkuptojnë edhe ndalimin e udhëtimit të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Ministri i Jashtëm i Austrisë Alexander Schallenberg tha se masat janë një “hap unik në histori ndaj një fuqie bërthamore dhe ndaj një vendi që është anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, por ato tregojnë sa të bashkuar jemi”.
Nuk është e qartë se çfarë ndikimi konkret do të kenë sanksionet ndaj tyre dhe çfarë pasurish mund të kenë në Evropë.
Ministrat e jashtëm evropianë thanë se sanksione të tjera janë mundshme, përfshirë përjashtimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave ndërbankare SWIFT.
Në një masë tjetër ndëshkimore, Këshilli i Evropës, organizata kryesore evropiane për të drejtat e njeriut, e pezulloi Rusinë, por organizata prej 47 anëtarësh shtoi se Rusia vazhdon të jetë anëtare dhe duhet të respektojë konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.


You must be logged in to post a comment.