
Mjaftuan dy ditë protesta të organizuara nga Nisma Thurje, që kryeministri Rama të lërë kërcënimet, gënjeshtrat e justifikimet dhe të kthehet nga Dubai për të negociuar menjëherë uljen e çmimit të naftës. Fillimisht ishte shfaqur arrogant dhe harbut ndaj ankesave për rritjen e çmimit të naftës, por protestat e kanë detyruar të ndryshojë qëndrim 180 gradë.Të hënën, doli në konferencë bashkë me Ministren e Infrastrukturës, Belinda Ballukun që në rrjetet sociale ka marrë pseudonimin “Maria Antuanet”, për zgjidhjen që i gjeti qytetarëve, që duhet të ecin në këmbë dhe të mos e marrin makinën kur dalin të blenë cigare.
Atyre që shpresonin se qeveria do bënte diçka për të rregulluar çmimet, Rama u tha se nuk mund dhe nuk do ta kishte ndërhyrje. Sipas tij, sistemin e kishim zgjedhur që në vitin 1990 dhe nuk ishte qeveria që i vendoste çmimet, por privati. Me duart e ngritura lart, si për ta përforcuar idenë e dorëzimit përballë oligarkëve të karburanteve, Rama tha se “jemi në luftë” dhe me tone kërcënuese paralajëmëroi skenarë dramatikë, sipas të cilëve një ditë mund të ndodhë që të mos ketë as naftë në treg dhe as energji elektrike në rrjet.
I bindur se mllefi nuk do të dilte nga Facebook, kryeministri fluturoi për në Dubai duke u lënë shqiptarëve peshën e rëndë të çmimeve të larta. Me vete, kishte marrë jo vetëm Belinda Ballukun, por edhe Olta Xhaçkën, Delina Ibrahimin dhe Elva Margaritin. Në Dubai kishte udhëtuar edhe ansambli i valleve popullore bashkë me këngëtaren Vikena Kamenica.
Këta kënduan para Ramës dhe disa sheikëve të tjerë, mes të cilëve disa prej njerëzve më të pasur të globit në një ceremoni të organizuar në Dubai me rastin e një panairi.
Ndërkohë në Shqipëri nafta u rrit prap dhe shkoi 260 lekë. Çmimet e ushqimeve u rritën të gjitha. Leku u zhvlerësua, ndërsa bileta e autobuzëve u shtrenjtua.
Politikanët e opozitës tradicionale heshtën. Në vend të tyre, protestat i thirri Nisma Thurje dhe u mbështetën menjëherë nga shoqëria civile.
Mijëra qytetarë në shesh të mërkurën pasdite ishin surprizë. Qeveria u përgjigj prap me arrogancë. Të rinjtë që ishin në protestë u shoqëruan nga policia sepse tentuan të mbanin të bllokuar një prej rrugëve në Tiranë. Policia shoqëroi 16 prej tyre.
Rama paralajmëroi një dalje live në rrjetet sociale në orën 18:30. Në këtë mënyrë do të kishte kohë të shihte se sa qytetarë do të ishin në bulevardin përballë kryeministrisë në ditën e dytë. të protestës.
Të enjten ishin mbledhur akoma më shumë qytetarë. Njëzëri e akuzuan kryeministrin për hajdut dhe ortak me oligarkët e naftës.
Akoma më të shumtë ishin protestuesit përballë kryeministrisë, kur Rama doli në Facebook. Protesta ishte zgjeruar brenda pak orësh në të gjithë Shqipërinë. Në Shkodër, Mirditë, Durrës, Berat etj qytetarët kishin dalë në protestë dhe duke bllokuar rrugët.
Monologun Rama e nisi me pyetjen se “Si mund të akuzosh tjetrin për hajdut pa pasur asnjë provë?” duke dëshmuar se i kishte dëgjuar fjalimet e protestuesve.
Rama nuk e fshehu dot nervozizmin, por u përpoq të mos ishte arrogant. Përmendi se çmimi i energjisë nuk do të rritet dhe se nafta që prodhon Shqipëria mund të përdoret vetëm për bitum. Kryeministri kërkoi 48 orë kohë dhe premtoi se do të ndërhynte që nesër në mëngjes.
I njëjti kryeministër, që dy ditë më parë ngrinte duart lart dhe i linte çmimet në mëshirën e privatit, kësaj radhe u shpreh: “Do ndërhyjmë në çdo tendencë spekulative me cmimin e naftës, duke krijuar brenda 48 orësh, pjesë e planit që do shpaloset në 48 orë, në një akt normativ me fuqinë e ligjit, një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme, një Bord Kombëtar të Administrimit të Karburantit, ku furnizuesit e vendit do jenë në një tavolinë me qeverinë për të bërë gjithë transparencën e cmimeve në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë”
Me moton “nuk është dita për të fituar, është dita për të rezistuar” Rama u duk se kishte lënë pas hezitimin për të ndërhyrë, duke parë mijëra njerëz që ishin në sheshin përballë kryeministrisë.
Në Tiranë, protestat vazhduan edhe pas premtimit të Ramës për të negociuar çmimin e naftës. Disa prej rrugëve të kryeqytetit u bllokuan, ndërsa disa të rinj u shoqëruan në polici. Protestat do të jenë të përditshme, por të shtunën do të kulmojnë në Tiranë, nga ku priten protestues nga i gjithë vendi. Deri tani PD, Komisioni i Rithemelimit dhe LSI janë distancuar dhe organizimi ka mbetur në Facebook nga vetë qytetarët./Lapsi.al


You must be logged in to post a comment.