
Presidenti Joe Biden, ish-presidenti Bill Clinton dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për ndera të saj që mbahet në Uashington.
“Në shekullin e 20 dhe 21 liria nuk kishte kampione (mbështetëse) më të madhe se Madeleine Albright”, tha Presidenti Biden në homazhet për ish-sekretaren e shtetit.“Sot ne nderojmë një amerikane vërtet krenare që na bëri të gjithëve më krenarë që jemi amerikanë”, tha zoti Biden. “Në vitet 1990, Madeleine punoi ngushtë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe me Senatin në përpjekjet për të ndalur gjenocidin në Ballkan, dhe për të mbështetur demokracitë e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, shtoi Presidenti Biden.

Zonja Albright, e cila shërbeu si sekretare e shtetit nga viti 1997 deri në 2001, vdiq muajin e kaluar nga kanceri. Pas vdekjes së saj, ajo u vlerësua nga shumë njerëz si një pioniere në karrierën e saj politike.
Albright dhe familja e saj u larguan nga nazistët në Çekosllovaki, vend i saj i lindjes, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata u vendosën përfundimisht në Shtetet e Bashkuara, ku zonja Albright u ngrit në postin e një diplomateje të famshme për një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe një koleksion karficash që ajo mbante për të dërguar mesazhe politike.


You must be logged in to post a comment.