Shtetet e Bashkuara thonë se kanë ndarë informacione zbulimi me Kievin në lidhje me vendndodhjen e kryqëzorit rus “Moskva”, përpara se luftanija të goditej nga forcat ukrainase, e të fundosej, një zhvillim që u cilësua si një disfatë e madhe për ushtrinë ruse. Por nga ana tjetër Pentagoni mohoi sot se kishte luajtur një rol të drejtpërdrejtë në sulmin ndaj luftanijes.

Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara nuk i dhanë informacione specifike Ukrainës për ta goditur luftanijen, po shtoi se Uashingtoni dhe aleatët ndajnë në mënyrë rutinë informacione zbulimi me Ukrainën.

“Nuk ishim të përfshirë në vendimin e ukrainasve për të goditur anijen, ose në operacionin që ata kryen”, tha zoti Kirby. “Ne nuk kishim dijeni paraprake mbi qëllimet e Ukrainës për ta goditur anijen”, shtoi ai më tej.

Të enjten, një zyrtar amerikan tha se ishte vetë Ukraina ajo që vendosi ta qëllonte me raketa, e ta fundoste anijen kryesore të flotës ruse në Detin e Zi. Por duke pasur parasysh sulmet e Rusisë nga deti, në drejtim të Ukrainës, SHBA-të kanë ofruar një gamë informacionesh zbulimi, që përfshijnë vendndodhjet e këtyre anijeve, tha i njëjti zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti.

Administrata Biden ka rritur shkëmbimin e informacioneve të zbulimit me Ukrainën së bashku me dërgesat në armë e raketa, për ta ndihmuar atë të zmbrapsë sulmin e Rusisë. Zbulimi i këtyre informacioneve mbi mbështetjen që kanë dhënë SHBA-të në sulmin ndaj luftanijes, vjen pasi Shtëpia e Bardhë ndodhet nën trysninë e republikanëve për të bërë më shumë në mbështetje të rezistencës së Ukrainës dhe ndërsa sondazhet sugjerojnë se një pjesë e amerikanëve kanë ngritur pikëpyetje nëse Presidenti Joe Biden po tregohet mjaftueshëm i ashpër ndaj Rusisë.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN të premten, zoti Kirby tha se informacionet e zbulimit që Uashingtoni i ka ofruar Ukrainës bazohen në një proces të ligjshëm, dhe se ato janë të kufizuara, sikurse shtoi ai.

Zëdhënësi i Pentagonit pranoi se SHBA-të janë gjithmonë të shqetësuara mbi potencialin e përshkallëzimit të konfliktit me Rusinë, një vend që ka armë bërthamore./VOA

Trending