Ministria Për Evropën dhe Punët e Jashtme thotë se Xhuljana Dumani, motra e bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani, nuk ka qenë kurrë pjesë e kabinetit të MEPJ, por është punësuar si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve.

Në një deklaratë zyrtare, ministria shton se Dumani është përzgjedhur nga komisioni që merret me selektimin e studentëve bazuar në rezultatet dhe fillimisht ka kryer praktikën 3-mujore në gusht 2021.

Në perfundim të praktikës, për shkak të vlerësimit të performancës së saj nga drejtoria, është lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjecar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve.

Për punësimin e Xhuljana Dumanit është kërkuar sipas ligjit, dëshmia e penalitetit nga autoritetet përkatëse e cila ka rezultuar e pastër dhe certifikata e sigurisë nga DSIK që merret duke kaluar një tjetër filtër.

Ministria sqaron gjithashtu se Xhuljana Dumani nuk ka pasur akses në informacion të klasifikuar e aq më pak në informacion të klasifikuar të NATO, pasi këto informacione trajtohen me rregulla e procedura të posaçme dhe vetëm një numër i kufizuar punonjësish kanë akses në to.

Një ditë më parë, gazetari Elton Qyno shkruante se motra e të përfshirit në dhjetëra atentate si vrasës me pagesë punon në një nga institucionet më të rëndësishme në vend, edhe pse i vëllai ka konfirmuar në SPAK pjesëmarrjen e tij në organizata kriminale. Madje, sipas Qynos, Policia e Shtetit e ka marrë në mbrojtje të renë, e cila ka në dorë informacione sekrete të sigurisë dhe diplomacisë.

Trending