Qeveria e Kosovës dhe komuna e Prishtinës thanë të hënën se festivali Sunny Hill, i themeluar nga Fondacioni me këtë emër i këngëtares me famë botërore, Dua Lipa, megjithatë, mbahet në Prishtinë.

Në një deklaratë të përbashkët me organizatorët e festivalit, thuhet se festivali do të mbahet në Prishtinë, nga 4 deri më 7 gusht.

Një javë më parë, organizatorët thanë se festivali po zhvendosej në Tiranë, meqë mosmarrëveshjet politike pamundësuan mbajtjen e tij në Prishtinë.

Komuna e Prishtinës kishte vendosur më 10 maj t’i jap festivalit në shfrytëzim një pronë prej 17 hektarësh për 99 vjet. Më 16 maj vendimi i është dërguar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal “për shqyrtim të ligjshmërisë”.

Kjo ministri tha në një reagim se nuk e ka anuluar apo rikthyer në shqyrtim vendimin e Komunës së Prishtinës, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë.

Të hënën, qeveria e Kosovës, komuna e Prishtinës dhe Festivali Sunny Hill thanë një komunikatë të përbashkët se “bashkuan forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë”.

Sunny Hill Festival 

oprSedsnot21844cluhl11921l867u870l2l90919c  · 

Deklaratë e përbashkët e Sunny Hill Festival, Ministrisë së Kulturës (në emër të Qeverisë së Kosovës) dhe Komunës së Prishtinës.

Sunny Hill Festival mbahet në shtëpinë e vet, në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022.

Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë.

Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.

Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë.

Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht.

Në Prishtinë, Sunny Hill Festival për këtë vit ka përgatitur lineup-in më të fuqishëm nga festivalet e rajonit ku përveç artistëve të njohur si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë, për këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Një verë e jashtëzakonshme i pret të gjithë shqiptarët në Prishtinë dhe në Tiranë.

Ministria e Kulturës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival

Trending