Rusia nisi sulme të reja me raketa të dielën ndaj dy qyteteve më të mëdha të Ukrainës, kryeqytetit të vendit, Kievit dhe Kharkivit. Sulmi vjen ndërsa udhëheqësit e Grupit të Shtatëshes, u mblodhën për bisedime për të përcaktuar mënyra të reja për të izoluar Moskën.

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se disa shpërthime tronditën pjesën perëndimore të qytetit dhe se u goditën të paktën dy ndërtesa banimi. Sipas zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm informacionet paraprake tregojnë se një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur, të cilët u shtruan në spital. Kryebashkiaku tha se një vajzë 7-vjeçare ishte nxjerrë e gjallë nga rrënojat e një godine.

Duke iu referuar të dhënave paraprake një ligjvënës ukrainas, tha se Rusia kishte lëshuar 14 raketa kundër Kievit.

Sulmi në kryeqytetin e Ukrainës u krye pas tërheqjes së trupave ukrainase nga qyteti lindor i Sievierodonetskut, një fitore e madhe për Rusinë pas disa javë luftimesh të ashpra.

Ndërkohë, Rusia nisi sulme me raketa anembanë Ukrainës të shtunën. Sulmet u raportua të jenë kryer nga hapësira ajrore bjelloruse, vetëm disa orë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të takohej me presidentin bjellorus, Aleksandr Lukashenko në Shën Petersburg të Rusisë.

Trending