
Vendimi i parë që mori Ilir Meta në partinë, që e la me 20 dhe e gjeti me 4 deputetë, ishte të fshinte emrin e vjetër Lëvizja Socialiste për Integrim. Emri i ri do të jetë “Partia e Lirisë”, një emërtim që të sjell menjëherë në mendje formacionin politik që përdori Sali Berisha në zgjedhjet e 6 Marsit, që u quajt “Shtëpia e Lirisë”.Bashkë me emrin, u fshinë me një të rënë të lapsit edhe strukturat e partisë.Në vend të tyre u ngrit një Komitet Organizativ që drejtohet nga Ilir Meta. Procedurat e votimit zgjatën pak çaste dhe ishin vetëm me ngritje dore nga antarët e Konventës. Nuk pati proces real votimi. Nuk pati asnjë komision të verifikimit të mandateve të antarëve të Konventës, nuk pati një komision për numërimin e votave dhe nuk pati asnjë rezultat votimi.Në pamjet që ofroi regjia e kontrolluar nga LSI, u shfaq vetëm një grup të rinjsh me kartona jeshilë në duar.
Pikërisht në ato pak sekonda u kuptua që Monika Kryemadhi kishte dhënë dorëheqjen.
Aty u votua edhe për emrat e komitetit organizativ që do të drejtojë partinë. Vetë Kryemadhi nuk foli gjatë Konventës.
Ndërsa kudo në politikë po fryn një erë non grata, Ilir Meta tha po tenton të ndërtojë një profil sovranist të partisë, në përputhje të plotë me aleancën me Sali Berishën.
Edi Ramën e përshkroi si një politikan në shërbim të Beogradit, duke sjellë si shembuj propozimin për një president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, apo padinë penale për Ramush Haradinajn.
“Në këto 5 vite kam qenë në një lartësi ku kam parë çdo gjë dhe fitova një këndvështrim të ri që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik kanosës për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës” u shpreh Meta.
Ai sulmoi tangent ndërkombëtarët për qëndrimin që mbajtën në lidhje me formimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa evokoi heronjtë kombëtarë të rënë në luftën e dytë botërore.
“Po ça kujtoni ju, që Mujo Ulqinaku, që doli atje në 7 Prill mendoi se do ndalonte Italinë fashiste? Ju mendoni se Vasil Laçi, mendoi që duke vrarë një perandor do çlironte Shqipërinë? Ju mendoni se Vojo Kushi kur i mbeti një bombë në dorë nuk dinte të dorëzohej e të kërkonte t’i falnin jetën? Jo or jo, ky vend nuk ka vetëm njerëz me stomak, por ka edhe shqiptarë patriotë që i dalin zot këtij vendi! Nuk po ju kërkon njeri të bëni atë që bënë ata burra, por mos shisni më votën, as Ilir Metën, as Kushtetutën” tha Meta në fjalën e tij.
Ajo që është e qartë pas mbarimit të mandatit të presidentit është se qeverinë e Ramës e pret një opozitë më e fortë. Megjithëse jemi në fund të Korrikut, Sali Berisha në njërën anë nuk e ka ndalur asnjë ditë aksionin politik me takime, konferenca dhe protesta. Ndërsa për “Partinë e Lirisë”, duket sikur aksioni politik sapo ka filluar./Lapsi.al


You must be logged in to post a comment.