
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Eduardo Reja ka dalë këtë të shtunë në një konferencë zyrtare për media ku ka komentuar listën e 24 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve ndaj Izraelit më 24 shtator në transfertë e tre ditë më vonë ndaj Islandës në ‘Air Albania’.
Tekniku italian theksoi se këto dy ndeshje janë vendimtare për fatin e Shqipërisë në këtë grup të Ligës së Kombeve, teksa ekipi është ende në lojë për vendin e parë. Mungesat e Gjimshitit dhe Kumbullës janë shumë të rëndësiishme, por stafi do të bëjë llogaritë me lojtarët e grumbulluar, të cilët kanë vlerat e tyre. Trajneri Reja foli edhe për dëmtimin e Endri Çekiçit, si edhe gjendjen e Keidi Bares, ndërsa tregoi se pse nuk është grumbulluar Erion Hoxhallari.
Vështirësi për të përpiluar listën e lojtarëve me kaq mungesa? – Nuk janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, por janë dy ndeshje shumë vendimtare për fatin tonë në këtë grup të Ligës së Kombeve. Duhet të bëjmë llogaritë me këtë grup lojtarësh që kemi tani. Nuk duhet të qahem, duhet të bëjmë maksimumin me lojtarët që kemi në dispozicion. Mungesat që kemi, janë lojtarë shumë të rëndësishëm, por edhe lojtarët e tjerë që kemi në skuadër janë lojtarë që kanë vlerat e tyre dhe ne do të shkojmë me bindjen që në ndeshjen e parë të bëjmë mirë dhe të marrim rezultat të mirë. Besojmë që në këto ndeshje mund të marrim maksimumin, do të jetë e vështirë, por ne do të besojmë deri në fund.


You must be logged in to post a comment.