Deputetit i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se do të bisedojnë për çdo modalitet, që grupet brenda selisë blu të kenë një kandidat të vetëm në zgjedhjet 2023.

Ai theksoi se do të kontaktojë me Edi Palokën, i cili bën pjesë në grupimin e ish-liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha. Sipas Bardhit, halli i përbashkët i demokratëve është “se si të mundin Edi Ramën në zgjedhje”.

Unë do të kontaktoj me Palokën. Duke qenë një kandidat  i vetëm i demokratëve, shanset e demokratëve për të fituar zgjedhjet lokale rriten në mënyrë të ndjeshme. Unë nuk bej bisedime përpara kamerave, do të bisedoj me z. Paloka për të parë cili është qëndrimi i kolegëve, që përfaqëson z. Paloka. As nuk hyjmë me kushte dhe as nuk pranojmë kushte, sepse nuk pranojnë kushte demokratët. Demokratët duan të mundin Edi Ramën në zgjedhje. Unë shkoj atje për të biseduar me një koleg të nderuar, çdo çështje tjetër, është tentativë për të bllokuar bashkëpunimin e demokratëve për zgjedhjet lokale. Halli i përbashkët i demokratëve është si të mundim Edi Ramën në zgjedhje. Kaq është e gjitha. Nuk bëhet fjalë për negociata. Unë nuk shkoj të kërkoj diçka dhe nuk besoj se z. Paloka do të vijë të kërkojë diçka”, tha Bardhi, pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se nuk do të tërhiqet nga plani për mbajtjen e primareve në selinë blu, në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet vendore të vitit  2023.

“As kam kushte dhe as nuk marr kushte. Nuk tërhiqemi nga primaret. Është kusht i ekzistencës. Nuk tërhiqemi, sepse nuk e ka kërkuar njeri. Mirëpres cilindo që të kandidojë”,  tha Berisha për mediat, në kohën kur grupimi i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj ka caktuar Gazment Bardhin për të diskutar mbi modalitetet për të caktuar një kandidat të përbashkët në zgjedhje.

Deputeti Bardhi theksoi se do të bisedojë më Edi Palokën, ndërsa tha se nuk ai nuk do të përcaktojë dhe nuk do pranojë kushte nga grupimi i Sali Berishës, pavarësisht se ky i fundit theksoi se “Primaret” janë të panegociueshme.

Aktualisht Berisha po zhvillon një takim me partitë joparlamentare, përkatësisht me kryetarin e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova, kreun e Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi si dhe Kryetarin e Partisë Demokristiane Nard Ndoka.

Trending