
Ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pajtohen për udhëtimin pa viza midis tyre dhe për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale, duke hedhur një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kjo u bë e ditur nga ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalina Berbok Baerbock, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të vendeve të përfshira në Procesin e Berlinit, e cila theksoi se këta janë hapa historikë, që ndryshojnë jetën e njerëzve.
“Kjo do të thotë që studentët nga Shqipëria mund të përdorin diplomën e tyre për të vazhduar studimet në Maqedoninë e Veriut dhe se një arkitekt nga Serbia mund të shkojë dhe të punojë në Mal të Zi. Fundja kjo është gjithçka me të cilën ka të bëjë tregu i brendshëm evropian”, tha zonja Baerbock.
Në takim u tha se përfitimin më të madh nga kjo marrëveshje do ta kenë qytetarët nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët nuk mund të udhëtojnë pa viza.
Dokumenti përfundimtar pritet të nënshkruhet me 3 nëntori në Berlin, ku pritet të mbahet takimi i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor dhe të dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse të Procesit të Berlinit, si dhe përfaqësuesve të Këshillit dhe Komisionit Evropian.
“Duke nënshkruar të marrëveshjet në takimin e ardhshëm në nëntor, ju po bëni një hap të rëndësishëm përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ju po e bëni jetën e qytetarëve tuaj më të lehtë dhe po ndihmoni kompanitë tuaja të nxisin tregtinë dhe rritjen ekonomike në të gjithë rajonin”, tha ajo.


You must be logged in to post a comment.