
Deniz Klironomi, i njohur me nofkën “Gucci”, i arrestuar më parë në Kolumbi është akuzuar nga nëna e shtetasit Renato Hamza ose “Reni Elbasanit”, person i zhdukur prej 2014, se ka marrë pjesë në zhdukjen e tij së bashku me shtetasin Indrit Shaqja, aktualisht në burg i dënuar për dy vrasje.
Klironomi akuzohet për disa vepra penale në Shqipëri dhe njëkohësisht në Kolumbi si i lidhur me grupin kriminal “Los Pachenca”, i cili kryen krime në bregun verior të Kolumbisë. Ai ishte me të kuqe në listën e Interpol, si ndër më të kërkuarit.
Një nga akuzat ka qenë dhe nga nëna e këngëtarit të tallavasë Renato Hamza, i zhdukur 8 vite më parë.
Por çfarë deklaronte nëna e Renit 2 vite pas zhdukjes së tij në mars 2016?
ilvana, ka njoftuar policinë, pasi një vajzë e prezantuar si bashkëjetuesja e të birit, i kishte telefonuar asaj duke i thënë se i biri është gjallë, në Angli.
Ajo dyshon se telefonuesja është ish e dashura e Renit, R. Daullxhiu, e cila mund të ketë gisht në zhdukjen e të birit.
Znj. Silvana, keni mësuar ndonjë të re për vendndodhjen e Renit?
Disa ditë më parë një telefonatë anonime më rizgjoi shpresën se Reni është gjallë. Një numër privat më telefonoi dhe një zë vajze dhe më tha se bashkëjetonte me Renin dhe se ishte edhe shtatzënë. Ajo më pyeti se nëse doja të flisja me Renin. I thashë se dua të flas me të, dhe në atë moment ajo më vinte këngët e tij.
Çfarë kërkonte në veçanti gjatë kësaj telefonate?
Më thoshte që të vinte në shtëpinë time që ta shohë nusja e Renit që është shtatzënë. Madje më pyeti nëse unë e pranoja si nuse. I thashë që nëse vjen me Renin dhe ai të do, të pranoj. Vetëm dua të shoh djalin tim, por do të bëj çfarë të dojë ai.
Po më pas, si vijoi telefonata?
Kur i thashë që dua të flas me Renin, ajo më tha që ai është në Angli për momentin. Këtu dyshova se kjo telefonatë e bërë me qëllim, ishte nga R.D., ish e dashura e tij. E njoha nga zëri. Sa herë hapet çështja e Renit, po kjo vajzë më del përpara mendjes dhe më shqetëson në telefon.
Po pse dyshoni tek ajo?
Unë nuk e doja këtë lidhje. Kur Reni kishte lidhje me të para se të zhdukej, ajo më kishte thënë që nuk do ta shohësh më djalin me sy.
Madje rreth një muaj më parë ajo mori djalin në telefon dhe i tha se e ke radhën ti tani. Si mund të mos dyshoj me këto fakte? Sapo mbarova telefonatën, shkova në Polici. Një ditë më pas më thanë se kishin shkuar në banesën e saj në Tiranë, por nuk ishte.
A dyshoni se Reni mund të ketë vdekur?
Kam dyshime për kufomën që u gjet në Babje të Librazhdit një vit më parë. Kërkoj nga shteti që t’i bëhet AND-ja pasi kjo ish e dashura në kohën që është zhdukur Reni, deklaroi se ishte në Pogradec. Kam bindjen se e kanë vrarë dhe e kanë hedhur atje në ferrat e Babjes. Akoma nuk kemi marrë një përgjigje të AND-së për atë kufomë, pasi na thanë që ai nuk është Reni, duke u bazuar te mosha e kufomës.
Megjithatë, zemra e nënës e pret, kam ndjesinë se ai është gjallë, dhe thuajse ditën e kaloj në derën e shtëpisë me shpresën se do të shoh Renin që vjen. Prandaj dua që çështja të hetohet nga Krimet e Rënda.
Rihapen hetimet për zhdukjen e këngëtarit të Tallavasë, Renato Hamzës. Burimet bëjnë të ditur se rreth orëve të parë të mëngjesit të djeshëm një grup prej 25 punonjësish të policisë dhe specialistëve të krimeve dhe mjekësisë ligjore, kanë kryer zhvarrosjen e një kufome që mbetet ende i paidentifikuar. Kufoma u gjet vite më parë në një fshat të Librazhdit, ndërsa nga mbetjet kockore janë marrë kampione ADN-je, pasi ka dyshime që ky trup mund t’i përkasë pikërisht Renato Hamzës, zhdukja e të cilit vijon të mbetet një enigmë edhe sot.
Me rihapjen e hetimeve, prokuroria e Elbasanit ka mundur të sigurojë indicie të reja, çka ka shtyrë që të marrë edhe vendimin për zhvarrosjen e trupit të gjetur dhe ende të paidentifikuar.
Ka dyshime se këngëtari i muzikës tallava Renato Hamza, mund të jetë ekzekutuar nga një grup kriminal që operon në zonën e Shqipërisë së Mesme, pasi për të riun kanë pasur dyshime se mund të ketë qenë dëshmitarë i një ngjarje kriminale që ky grup kishte kryer. Dyshohet se Renato Hamza rastësisht është bërë dëshmitarë i ngjarjes kriminale të kryer nga ky grup dhe kjo dyshohet se ka qenë shkaku i rrëmbimit dhe më pas zhdukjes së tij.
Mbetet ende e pakonfirmuar nëse trupi i gjetur disa kohë më parë në Librazhd dhe i paidentifikuar mund t’i përkasë Renato Hamzës.Prej 29 Qershorit 2014, familja e këngëtarit të muzikës tallava Renato Hamza, nuk di asgjë për fatin e 21-vjeçarit në atë kohë nga Elbasani. Prej asaj dite këngëtari, i njohur ndryshe me pseudonimin “Reni i Elbasanit” nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij, nga momenti kur një telefonatë misterioze e nxori nga shtëpia ku jeton me prindërit dhe bashkëshorten 9-muajshe shtatzënë.


You must be logged in to post a comment.