


Nga Artur Mecollari
Natën e 31 dhjetorit 1946, kur gjithë populli shqiptar festonte ndërrimin e viteve, organet e sigurimit të shtetit ekzekutojnë pronarin e të vetmit kantier detar me pronësi shqiptare në portin e Durrësit Tom Themisokli Goga, si dhe shokum, bashkëpronarin dhe ekonomistin e tij Dhimitraq Koçi. Kantieri njihej me emerin e Tom Gogës.
Mbas çlirimit të Shqipërisë, në portin e Durrësit funksiononin dy kantiere detare, një italian dhe tjetri po private, në pronësi i shqiptarit Tom Gogës. Kantieri Detar i Tom Gogës e ka nisur veprimtarine e tij pas luftës, rreth dhjetor te vitit 1944. Ishte djaloshi durrsak 22 vjeçari Tom Goga, ai që mori nismen e krijimit të tij duke bashkuar mjeshtra italianë dhe shqiptare që ishin marre me riparimin e mjeteve detare gjatë luftës. Ekonimit dhe bashkëpronar kishte shioku e tij Dhimitraq Koçi, po ashtu 22 vjeç.
Më 13 maj 1945 kantieri ka përuruar lëshimin në det të motovelierës 75 tonëshe ” Misiri 2 ” e porositur nga pronari Riza Jakupi. Në riparimin e motovelirës kishte punuar edhe inxhinierin italian Rafaele Vangnini. Riparimi i “Misiri 2” ishte një sukses i parë i kantierit të Tom Gogës dhe inxinjerëve të tij me jehonë në shtypin e kohës. Kantieri detar i Tom Gogës kishte një shkallë të vogël për nxjerrjen e anijeve dhe një repart karpentier me fuqi punëtore prej 6 vetë.
Në 10 maj 1945 Marina Ushtarake lidhi një kontratë për riparimin e dy motovedetave MS-10 dhe MS-12 me kantierin detar në pronësi të Tom Gogës. Motovedetat ishin trofe dhe gjendeshin në ofiçinën italiane në Portin e Durrësit. Marina Ushtarake kishte plan për riparimin edhe të disa motovedetave të tjera dhe i kërkoi Tom Gogës të rriste kapacitete dhe fuqinë punëtore. Sipas dokumentave të Marinës Kombëtare “në 15 qershor Tom Goga për fillimin e punimeve në motovedeta kërkoi 20 mijë franga për riparimin e tyre dhe në 25 qershor 1945 kërkoj 50 mijë franga”. Sipas dokumentave të Marinës Ushtarake, kjo e fundit më 23 qershor 1945 kishte kryer një kontroll në Kantierin e Tom Gogës.
Në 10 gusht 1945 dy motovedetat MS-10 dhe MS-12 ishin riparuar dhe ishin gati të hidheshin në ujë. Në datën 14 gusht 1945 kantieri detar i Tom Gogës i kalon për administrim nga Marinës Kombëtare. Ceremonia e hedhjes në ujë dhe ngritjes së Flamurit të Marinës Ushtarake u bë në datën 15 gusht 1945, që njihet edhe si dita e krijimit të Marinës Ushtarake (Flotës Luftarake Detare). Zyrtarisht Marina Ushtarake është krijuar më 23 shkurt 1945. Po ashtu, mbasi u morrë në kontroll të Marinës Ushtarake aty u riparuan të gjitha motovedetat, duke përfshirë edhe Motovedetën “Mujo Ulqinaku” e cila u hodh në ujë më 23 prill 1946.
Me Urdhër nr. 5506/1, date 30.12.1945 të Komandantit të Mbrapavijës së Ushtrisë Kombëtare general major Dali Ndreu, Kantieri Detar i Tom Gogës kalon në vartësi të Marines Ushtarake dhe përcaktohet organika me 6 vetë, dy oficerë, një civil dhe dy detarë. Drejtor u emërua toger Stefan Maliko (Goga), Komisar kapiten i dytë Petro Prifti dhe llogaritar nëntoger Zef Shoshi. Kantieri ishte autonom në varësi të Marinës Ushtarake. Marrja në dorëzim i kantierit ishte bërë qysh më 24 dhjetor 1945.
Sipas dokumentave të Marinës Ushtarake Tom Goga u arrestua në datën 4 gusht 1945 së bashku me llogaritarin e tij (Dhimitraq Koçi) për falsifikim dokumentacion fiskal (fallcifikim i faturave të riparimit të anijeve). Sipas faliljarëve të Kristaq Koçi arrestimi i tyre u bë më 17 dhjetor 1946. Sipas familjarëve të Dhimitraq Koçi, të dy brenda dy javësh, i nxorrën përpara gjyqit ushtarak (Kinema Esperia/ më vonë Iliria, në Durrës), megjithëse ishin civil, me kryetar të trupit gjykues Gjon Banushi, dhe prokuror Josif Pogaçe. Goga dhe Koçi akuzoheshin për për falsifikim dokumentacion fiskal, por sipas familjarëve ky ishte sebepi për të mos likuiduar 1.6 miljon franga, që shteti i detyrohej Kantierit Privat të Tom Gogës.
Prokurori kërkoi 15 vjet burg për Tom Goga, kurse për Dhimitraq Koçin, dënim me vdekje, pasi u akuzua edhe se kishte luftuar në Kosovë kundra vëllezërve Jugosllavë. Sipas familjarëve ndërhyrja e Koçi Xoxes bëri që si Tom Goga edhe Dhimitraq Koçin të dënoheshin me vdekje, vendim i cili u dha më 26 dhjetor 1946. Vetëm pesë ditë më vonë vendimi u ekzekutua, duke i pushtaktuar në mbrëmjen e 31 dhjetorit 1946 në Spitallë, te kanali i varrezave të vjetra të Durrësit.
Me urdhër nr. A1-163, datë 9 janar 1946, të Shefit të Seksionit të Marinës Luftarake kapiten i parë Abdi Mati kantieri në Portin e Durrësit detar merr emrin “KANTIERI DETAR I MARINËS SHQIPTARE”, datë e cila shënon edhe zotërimin për herë të parë të një kantieri detar mbas 20-viteve të krijimit të saj. Por kantieri do i përkishte Marinës Ushtarake vetëm katër muaj. Me urdhërin nr. A1-217, datë datë 2 prill 1946, të Komandantit Suprem të Fuqive të Armatosura gjeneral kolonel Enver Hoxha Kantieri Detar i Marinës Shqiptare më 15 prill 1946 i kalonte në vartësi të Ministrisë së Punëve Botore.
Prona e Kantierit të Tom Gogës u sekuestrua nga Shteti Shqiptare një vit më pas, me Vendim të Kuvendit Popullor nr. 17, datë 20.01.1947 “Mbi sekuestrimin e pasuris të së tundshme e të pa tundshme të Tom Themistokli Goga nga Durrësi”. (Gazeta Zyrtare Nr. 21, E Martë 4 Mars 1947, f. 7.)
Referencat:
- Dokumenta të Marinës Ushtarake Kombëtare
- https://durreslajm.al/si-u-pushkatua-naten-e-vitit-te-ri-1946-pronari-i-kantierit-te-durresit/
- https://www.voal.ch/si-u-pushkatua-naten-e-vitit-te-ri-1946-pronari-kantierit-te-durresit/
- https://dosja.al/festa-e-pergjakur-e-31-dhjetorit-si-u-pushkatuan-pa-meshire-23-vjecaret-kishin-luftuar-kunder-vellezerve-serbe-perkrah-shqiptareve-te-kosoves/


You must be logged in to post a comment.