
Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert, publikoi të hënën një projekt statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, sipas të cilit ky mekanizëm duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Drejtuesi i këtij fondacioni në Kosovë, Rene Schlee, tha se projekti ka për qëllim të lehtësojë diskutimin publik mbi asociacionin.
“Kishim synime shumë të qarta derisa e hartuam këtë propozim. Ai duhej të arrinte tri qëllime kryesore, e para të paraqesim një propozim që është në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin ligjor të saj. E dyta të trajtojë dhe të përfshijë pritshmëritë dhe brengat praktike të qytetarëve nga komunat që pritet të jenë pjesë e asociacionit. Ndërsa e treta të jetë në linjë me marrëveshjet e Brukselit”, tha ai.
Senad Sabovic nga Instituti i Evropës për Paqe, bashkautor i këtij propozimi, gjatë paraqitjes së projektit me titull “Asociacioni i komunave të Republikës së Kosovës ku serbët e Kosovës janë shumicë”, tha se emërtimi dhe kapitujt e tij mbështeten në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi asociacionin.
“Ne besojmë që kjo përforcon kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e këtij institucioni. Duam të theksojmë se edhe pse ligjërisht më i sigurt, titulli i ri nuk do të largohej nga ideja thelbësore e asociacionit. Për më tepër struktura e propozimit tonë është struktura e parimeve për të cilat është arritur marrëveshje në vitin 2015, kjo është pjesë e qasjes sonë të përgjithshme për të qëndruar sa më afër këtyre parimeve që na lejon Kushtetuta e Kosovës”, tha ai.
Në bazë të këtij propozimi Asociacioni duhet të ketë simbolin e vet zyrtar, stemën dhe flamurin, të cilat do të vendosen nga bordi i asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhetin e vet të brendshëm, llogari bankare dhe të kryejë transaksione financiare”, thuhet në një nga nenet e propozimit.
Në propozim theksohet se Asociacioni do të ketë kuvendin e vet, presidentin, zëvendëspresidentin, këshillin dhe bordin e tij si dhe një zyrë për ankesa.
“Organet e Asociacionit do të promovojnë bashkëjetesën dhe paqen ndërmjet qytetarëve të komunave anëtare dhe të nxisin krijimin e kushteve të përshtatshme për t’u mundësuar të gjitha komuniteteve të shprehin, ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre kombëtar, etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor”, thuhet në propozim, ndërsa theksohet se asociacioni do të angazhohet me autoritetet qendrore të Kosovës për bashkërendim të dyanshëm dhe ndarje të informacioneve, me synim zhvillimin e demokracisë dhe shumetnicitetit, në linjë me sistemin ligjor të vendit.
Projekt statuti i Asociacionit u publikua një ditë para një takimi të organizuar nga ambasada amerikane në Prishtinë me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe shoqërisë civile për të diskutuar këtë çështje.
Diplomatët perëndimorë kanë shtuar përpjekjet për të siguruar një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në bazë të një propozimi evropian, i cili me tjerash parasheh zbatimin të gjitha marrëveshjeve të deritashme të arritura në Bruksel. Diplomatët kanë vënë theksin te marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që është pika më e vështirë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe u nënshkrua për herë të parë në Bruksel në vitin 2013, ndërsa marrëveshja për parimet e themelimit të tij u nënshkrua dy vjet më pas më 2015. Po atë vit presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e dërgoi atë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese, e cila vlerësoi se Asociacioni mund të themelohet bazuar në marrëveshjen e parë, por marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.


You must be logged in to post a comment.