Turqia u zotua të dielën se do të hetojë të gjithë ata që dyshohet të jenë përgjegjës për shembjen e ndërtesave nga tërmetet shkatërruese dhe ka urdhëruar deri tani ndalimin e 113 të dyshuarve.

Ekipet e shpëtimit vazhduan të nxjerrin të mbijetuar nga rrënojat e tërmetit gjashtë ditë pas katastrofës, përfshirë një grua shtatzënë dhe dy fëmijë të vegjël, por numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri ka arritur në mbi 33 mijë.

Nënpresidenti Fuat Oktay tha gjatë natës se 131 të dyshuar janë identifikuar deri tani si përgjegjës për rrëzimin e disa prej mijëra ndërtesave të rrafshuara në 10 provincat e prekura nga tërmetet e së hënës së kaluar.

“Për 113 prej tyre janë lëshuar urdhra paraburgimi,” u tha zoti Oktay gazetarëve në një konferencë shtypi në qendrën e koordinimit të menaxhimit të fatkeqësive në Ankara.

“Ne do ta ndjekim këtë çështje me vëmendje derisa të përfundojë procesi i nevojshëm gjyqësor, veçanërisht për ndërtesat që pësuan dëmtime të mëdha dhe ndërtesat që shkaktuan vdekje dhe lëndime”, tha ai.

Nënpresidenti tha se ministria e drejtësisë ka krijuar zyra hetimore për krimet e lidhura me tërmetin për të hetuar vdekjet dhe plagosjet.

Ministri i Mjedisit Murat Kurum tha se 24,921 ndërtesa janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti në të gjithë rajonin.

Prokurorët shtetërorë në Adana urdhëruan ndalimin e 62 personave në një hetim për ndërtesat e shembura, ndërsa prokurorët kërkuan arrestimin e 33 personave në Dijarbakir për të njëjtën arsye, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu.

Agjencia tha se tetë persona ishin arrestuar në Sanliurfa dhe katër në Osmaniye në lidhje me ndërtesat e shkatërruara që besohej se kishin defekte.

Policia arrestoi ndërtuesin e një kompleksi rezidencial që u shemb në Antakya në aeroportin e Stambollit ndërsa po përgatitej të hipte në një avion për në Mal të Zi të premten në mbrëmje. Ai u arrestua zyrtarisht të shtunën, sipas agjencisë Anadolu.

Trending