Trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës parakaluan të premten në sheshin qendror të Prishtinës, në kuadër të veprimtarive për nder të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Shumë qytetarë me flamujt e Kosovës dhe ata kombëtar shqiptar në duar u rreshtuan përgjatë sheshit për të ndjekur parakalimin dhe për të kremtuar.

“Në këtë 15- vjetor sot këtu, ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës. Këta djem dhe vajza, që do të parakalojnë para nesh në sheshin qendror të kryeqytetit të republikës, janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, të betuar për ta mbrojtur edhe me jetën e tyre, sovranitetin e territorin si dhe rendin e ligjin e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Disa nga kremtuesit në Prishtinë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës thanë se presin zhvillim ekonomik e sundim të ligjit në të ardhmen, ndërsa vunë theksin te sakrificat për liri e pavarësi.

Trending